
GJKKO ka dënuar me burgim të përjetshëm Xhuljano Hoxhën dhe me 17 vite burg Euglen Halilin, të akuzuar për vrasjet e Emilijano Ramazanit dhe Regis Runajt, ngjarje të ndodhura përkatësisht më 20 dhe 29 korrik 2020 në Elbasan.
Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 30 vjet burgim për Hoxhën, por gjykata ka vendosur burg përjetë, ndërsa për Halilin ishin kërkuar 12 vite burg.
Dy krimet për të cilat ata u dënuan janë kryer në vitin 2020. Emiliano Ramazani u vra në korrik të atij viti në një atentat pranë shtëpisë së tij. Ai u qëllua me pesë plumba ndësa po parkonte makinën.
Pak ditë pas vrasjes së tij u gjet i vrarë edhe Regis Runaj, 23 vjeç, mik i Ramazanit. Trupi u Runajt u gjet pranë varrezave të qytetit.
Ramazani, i njohur në Elbasan me nofkën 'Rramani', njihej si shpërndarës kokaine në qytet. Vrasja ka ndodhur për larje hesapesh.
Ka qenë dëshmia e Halilit ajo që ka zbardhur krimet. Në cilësinë e të penduarit, pas arrestimit ai ka rrëfyer se është ai personi që e ka vrarë Regis Runajn, edhe pse e kishte shok, dhe se gjithçka e ka bërë për llogarinë e Xhuljano Hoxhës.



