Reporterja Ervina Garo në një raportim për MCN Live bën me dije se është mbyllur faza e parë e vlerësimit në terren të dëmeve nga përmbytjet, ku në total janë prekur 493 banesa.
Gazetarja bën me dije se qytetarët janë skeptikë në lidhje me dëmshpërblimet nga Bashkia Durrës.
Ata besojnë se nëse do të marrin një dëmshpërblim kjo mund të ndodhë para zgjedhjeve, ose nuk do të ndodhë më kurrë.
“493 banesa janë dëmtuar seriozisht nga prania e ujit. Në të gjitha banesat është bërë verifikimi përkatës. Bashkia e Durrësit bën me dije se janë në procesin e vlerësimit të dëmit, për të nxjerrë faturën financiare. Jashtë skemës së vlerësimit kanë mbetur bizneset, që s’do jenë pjesë e dëmshpërblimit. Vet banorët janë shprehur skeptikë që do të mund të dëmshpërblehen. Kanalet kanë qenë të bllokuara, sistemet e kanalizimit nuk kanë funksionuar. Në brendësi të kanaleve janë gjetur mobilie, orendi shtëpiake, shishe plastike, që kanë sjellë bllokimin e tyre. Ende s’ka një shumë të bërë publike për dëmshpërblimin. Është mbyllur vetëm faza e parë e vlerësimit të dëmeve në terren. Ka një dramë sociale, që ndodh në çdo problematikë në Durrës. Qytetarët janë skeptikë për marrjen e dëmshpërblimet. Qytetarët kanë thënë se nëse i përkasin të majtës kanë marrë dëmshpërblimet ndër vite. Ata besojnë se nëse i marrin dëmshpërblimet para zgjedhjeve mund të ndodhë, në të kundërt besojnë se do harrohen si në të kaluarën”.



