
Ilir Alimehmeti, këshilltar në Bashkinë e Tiranës tha në studion e emisionit “MCN Economy” se kjo bashki ka kapitulluar politikisht dhe financiarisht.
Sipas Alimehmetit numri i punonjësve në bashki është rritur përtej çdo imagjinate.
Vjet në 5 prill kemi çuar një shkresë për të kërkuar që të vinte një auditim ndërkombëtar dhe të shihte si shpenzohet fondet dhe taksat që merren nga Bashkia Tiranë dhe si shpenzohen në shërbime. Si janë vendosur, si mblidhen, si gjobiten njerëzit dhe më pas ku shkon kjo sasi parash?
Sot e kësaj dite, Bashkia Tiranë vijon me punën e saj të errët me fondet tona, ka një kryetar bashkie në qeli , ka disa nga drejtorët më të rëndësishëm në qeli prej vitesh, ka të tjerë në detyrim paraqitje. Kemi bashki të kapitulluar. Ka kapitulluar politikisht dhe financiarisht.
Bashkia Tiranës nuk është aty për të marrë taksa dhe të mos e dimë ne për çfarë do përdoren. Duhet të jetë e kundërta. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Dhe investimet që vetë kanë deklaruar, nuk kryhen. Kush është arsyeja, që kur mbesin para në fund të vitit, taksat shtohen kur aty ka para që nuk janë shpenzuar për investime. Kush është arsyeja pse bizneseve i shtojnë taksat?
Ka fryrje Bashkia Tiranë në numër personeli. Është më shumë seç imagjinohet. Nga një administratë që gjeti me 5 mijë e ca punonjës, e ka çuar në mbi 12 mijë.



