
Qytetarët e Kosovës do të mund të testohen vullnetarisht për COVID-19 nga IKSHPK-ja edhe në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Kështu ka njoftuar sot IKSHPK-ja, e cila ka thënë se testimi për RT-PCR bëhet prej orës 9:30 deri në 12:00 më datat 29 dhe 30 dhjetor.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Instituti ka bërë me dije se procedura e marrjes së mostrave do të bëhet sipas protokolleve të IKSHPK-së nga ekipet të cilat marrin mostra rregullisht në IKSHPK dhe në terren nëpër institucionet e ndryshme sipas indikacioneve epidemiologjike.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e marrjes së mostrave për depistimin e rasteve të cilët nuk kanë shenja të sëmundjes. IKShPK apelon te të gjithë qytetarët që të vijnë të testohen në SARS-CoV-2, duke ju informuar gjithashtu se testimet vazhdojnë në IKSHPK dhe të gjitha Qendrat rajonale të shëndetësisë publike në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Institutit.
Ky aksion falas është marrë për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së koronavirusit, pasi në Kosovë ditët e fundit është shënuar një rënje e rasteve me Covid.



