Në një dalje në orët e vona të mbrëmjes pas presionit të shtuar ndërkombëtar, Lulzim Basha ripërsëriti se ka marrë mbështetjen e Uashingtonit për kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Basha u shpreh i vendosur në vazhdimin e protestës deri në plotësimin e kushtit të opozitës: qeverisë teknike.
“Largimi i Ramës një orë e më parë nga zyra që ka zaptuar me krimin e organizuar dhe hapja e rrugës për një qeveri teknike që do garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Besnikërisht ju them se për zgjedhje të lira dhe të ndershme mbështetja do të jetë e pakursyer. Beteja është futur në fazën e vet vendimtare. Le të qëndrojmë këtu pa na bërë syri tërr deri sa të realizojmë fitoren tjetër të madhe dhe vendimtare, që është fitorja e demokracisë së vërtetë. Ju jap fjalën se nuk tërhiqem, do jemi bashkë këtu derisa beteja të përfundojë me fitoren totale.Hilet e mëdha, hilet shumëkatëshe i bën ai atje (Rama) edhe për pak kohë se nuk do ketë shanse të tërheqë këtë popull prej hunde. Zgjedhjet e lira po afrojnë, ora e fitores po afron”, tha ai.



