Kandidati republikan Donald Trump duhet të paguajë këtë të hënë 500 milionë dollarë në gjykatën e New York-ut përndryshe rrezikon që gjithë asetet e tij të sekuestrohen. Është ky një dënim i vjetër ku Trump-i u shpall fajtor për mashtrim civil sepse ka fryrë vlerat e portofolit të tij të pronave për të mashtruar siguracionet dhe investitorët.
Pritet që gjykatësi të caktojë datën e gjyqit për çështjen penale ndaj Trump lidhur me pagesën ndaj aktores për filma për të rritur Stormi Daniels.
Ish-presidenti Tramp reagoi për këto çështje duke thënë se po ndalohet të kandidojë në zgjedhje.
Pse duhet të lejohet një gjykatës i korruptuar njujorkez, me anësi politike, si Artur Engoron, që punon bashkë dhe në koordinim me një Prokurore të Përgjithshme edhe më të korruptuar, Letitia "Pikabu" James. Këta të çmendur komunistë dhe të majtë radikalë kërkojnë që të paguajë një gjobë qesharake dhe krejtësisht të padëgjuar mbi 450 milion dollarë vetëm sepse panë një shumë të ngjashme në llogarinë time bankare. Synoja t’i përdorja shumë nga ato para të fituara me vështirësi për të kandiduar për President. Ata nuk duan që unë ta bëj këtë. Kjo është ndërhyrje në zgjedhje!
Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar për rastin, ndërsa analistët amerikanë thonë se kjo vjen për të mos i dhënë më shumë zë përpara zgjedhjeve kandidatit Trump.
Ndaj ish-presidentit rëndojnë edhe tre çështje të tjera penale, dy për përpjekjen e tij për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020 dhe një në lidhje me dokumentet e klasifikuara të gjetura në resortin e tij Mar-a-Lago pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë. Shumë analistë ligjorë argumentojnë se është e vështirë që ish-presidenti të shkojë në burg, por është hera e parë që ka precedentë të tillë ligjorë ndaj një kandidati presidencial.



