Eksperti i ekonomisë Zef Preçi duke folur në “MCN Live” mbi paqen fiskale theksoi se kemi të bëjmë me një amnisti që sjell dy shqetësime kryesore, dekurajimin e bizneseve që paguajnë rregullisht dhe krijimin e premisave për penetrimin e parave kriminale. Preçi vuri në dukje se është shqetësuese mungesa e transparencës, në lidhje me kompanitë që përfitojnë, dhe raporti që kanë ato me pushtetin.
“Kjo është një amnisti. Merret në ato rrethana, ku për shkak të ndryshimeve të shpeshta të kuadrit ligjor, mungesës së kapaciteteve të administratës tatimore, në anën e biznesit janë grumbulluar para të padeklaruara, dhe nga ana tjetër qeveria është në nevojë për para, diku takohen këto, dhe kjo ndodhet kur ekonomia ndodhet në ndryshim sistemik. Përsëritja e shpeshtë e amnistive ka një pasojë kryesore, dekurajimin e atyre që janë të rregullt në pagesat e taksave dhe sigurimeve shoqërore. Janë dy shqetësime kryesore: I pari me dekurajimin e atyre që paguajnë rregullisht. Hedh në erë kontributin e dekadës së fundit, në përpjekje për të ulur informalitetin.
Nga ana tjetër është shqetësim që përmes masave të tilla, krijon premisa për penetrimin e parasë informale dhe kryesisht kriminale. Shoh me shqetësim mungesën e transparencës, jo aq për shkak të motiveve, që janë të dukshme, nevoja për para. Mungesa e transparencës për përfituesit, cilat janë kompanitë, raporti me pushtetin. Kam edhe një vërejtje personale, që më duket i komplikuar si sistem, dhe më duket sikur jemi në kohën e indulgjencave, që po të paguajë para të falnin mëkatet. Nxit polarizimin edhe te qytetarët.
Pa dashur të ngre akuzë, mund të thuhet se është një dritare më shumë në tërësinë e masave lehtësuese, që ka ndjekur dhe ndjek qeveria shqiptare për të mundësuar investime në këtë treg (ndërtimi). Ndryshe s’ka mundësi që asnjë kompani gjermane dhe austriake s’përfiton një koncesion. Kjo masë e ashtuquajtur paqja fiskale, është një hallkë më shumë në politikat toleruese, që përfshijnë sektorë si ndërtimi, deri te sektori bankar. Nëse hamendësojmë që përfituesit janë biznese që kanë mundësi të ndikojnë në vendimmarrje, dhe që kanë aftësi të absorbojnë para me origjinë të dyshimtë, është e kuptueshme që balanca anon te ata, dhe kjo shpjegon mungesën e transparencës”.



