
Ende pa nisur seanca e Kuvendit, janë rikthyer tensionet mes opozitës dhe mazhorancës në sallën e Parlamentit.
Deputetët e opozitës kanë përmbysur një grumbull karrigesh në foltoren e Kuvendit duke bllokuar deputetët që të marrin fjalën.
Deputetët demokratë akuzojnë mazhorancën socialiste se kërkon të asgjësojë opozitën.
Mes deputetëve socialistë dhe demokratë ka pasur replika dhe shtyrje fizike, ku Xhemal Qefalia i PS nuk ka pranuar t'i japë karrigen Edmond Spahos së Rithemelimit.
Duke folur nga salla e Kuvendit, kreu i Rithemelimit Sali Berisha foli për grevë.
“Tani mund të ikni sepse ne do të vazhdojmë. Kjo që shikoni është grevë”, tha Berisha teksa mbajti fjalën e tij live në Facebook.
Ndër të tjera Berisha deklaroi se Rama ka planifikuar të përdorë dhe ushtrinë si në 1990, por asgjë nuk e shpëton
Edi Rama, pasi e pa që opozita nuk do të jetë më, nuk do të mund të manipulohet më, do të mbrojë të drejtat e saj, ka shpalosur këtë strategji me të cilën e thellon vendin çdo ditë në krizë.
Por i them këtu, nuk ka forcë në botë, ju e dëgjuat besoj, që kanë planifikuar të përdorin edhe ushtrinë, njëlloj me skenarin e vitit 1990-91.
Le të përdorë ç’të dojë, por asgjë nuk e shpëton atë nga revolta, nga revolta e popullit opozitar për kushtetutën dhe të drejtat e tij”.



