
Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 0-0 kundër Serbisë në "Arenën Kombëtare", për sfidën e tretë të Grupit K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Kuqezinjtë e trajnerit Sylvinho dominuan në fushë, ndërsa Rey Manaj humbi mundësinë që të bëhej "mbreti" i shqiptarëve të paktën për një natë, duke gabuar penalltinë në minutën 45+1'.
Për gazetaren Dorisa Parllaku, e ftuar në programin “Zgjohu me MCN”, humbja e penalltisë është një pjesë e natyrshme e futbollit dhe një fat i keq, duke marrë parasysh se Manaj po kalonte një gjendje gripale.
Edhe pse është e natyrshme që çdo futbollist mund të humbasë një penallti, kjo ndodhi në një moment kur skuadra kishte nevojë për një fitore.
Rey Manaj ishte në një gjendje të pasigurtë për shkak të sëmundjes, dhe për këtë arsye nuk mund të fajësojmë vetëm lojtarin.
Në këto situata, përgjegjësia i takon trajnerit për t’i bërë të gjithë të ndihen gati për sfidën.
Kombëtarja shqiptare e tregoi më shumë se kaq në fushë, ku futbollistët si Hysaj, Mitaj, Laçi, Shehu, e Daku dhuruan paraqitje fantastike, sidomos Daku në pjesën e dytë, ndikimi i tij ishte i dukshëm për të sjellë një qasje më të qetë dhe pa egoizëm.
Në lidhje me tifozët, tifozja e njohur Juliana Nura, e ftuar po ashtu në program, foli për emocionet dhe atmosferën që krijohet në ndeshje, si dhe për sjelljet e tifozëve shqiptarë.
Kam bërtitur dhe akoma kam zërin e ngjirur. Me taka kam hipur mbi Porsche për të mbështetur Kombëtaren. Jam goce Dardane dhe jemi me dy kombëtare. Kam qenë e veshur me rroba të Rugovës.
Në çdo ndeshje, përfshirë atë me Serbinë, dua të dërgoj mesazhin e unitetit dhe patriotizmit që e përfaqësoj në çdo moment.
Kam pasur dhuratë 9 bileta për ndeshjen, dhe gjithmonë e mendoj se është një mënyrë për të ruajtur qetësinë. Tifozët tanë janë të edukuar, dhe kjo është shumë e rëndësishme për të shmangur ndonjë incident.
Për sa i përket atmosferës, ka pasur tension, por gjithmonë është e rëndësishme që të ruhet kujdesi dhe të mos i kalohet kufiri.
Rey Manaj nuk ishte në gjendje të shënonte, por kjo është pjesë e futbollit. Jeta ecën përpara dhe duhet të ecim përpara edhe ne si tifozë dhe si Kombëtare.
Nura theksoi rëndësinë e mbështetjes për Kombëtaren dhe se ndonëse ndeshja e Serbisë mund të ketë qenë e tensionuar, shqiptarët nuk duhet të lënë të krijohet një atmosferë negativiteti.
Kombëtarja duhet mbështetur çdo ditë, jo vetëm një ditë.
Unë gjithmonë kam qenë e rritur me patriotizëm dhe këtë e jap me zemër, por gjithashtu e di që duam të jemi të qetë dhe të shmangim çdo incident.



