Në Tbilisi, kryeqytetin e Gjeorgjisë, vazhdojnë demonstratat kundër qeverisë, e cila akuzohet për braktisjen e procesit të anëtarësimit në BE.
Mijëra demonstrues pro-evropianë dolën në rrugët e Tbilisit këtë të shtunë, për të tretën mbrëmje radhazi të protestave kundër qeverisë.
Dy demonstratat e mëparshme, të enjten në mbrëmje dhe të premten në mbrëmje, u shpërndanë duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës nga policia, e cila gjithashtu arrestoi qindra persona.
Protestat u nxitën nga vendimi i qeverisë, e akuzuar për lëvizje autoritare pro-ruse, për të shtyrë diskutimet për integrimin e këtij vendi kaukazian në BE deri në vitin 2028.
Opozita konteston gjithashtu rezultatet e zgjedhjeve legjislative të tetorit.
Rrugët e qendrës dhe zona pranë Parlamentit, u mbushën me demonstrues, shumë prej të cilëve mbanin flamuj të BE-së dhe Gjeorgjisë.



