
Partia Socialiste ka shpallur fitoren në bashkitë e Vorës dhe Kamzës, ndërsa është në epërsi edhe në Elbasan, tre bashki ku pati votim dhe numërim elektronik.
Duke iu referuar rezultateve paraprake nga numërimi i QV-ve, Blerim Shera i PS ka fituar garën në Vorë, Rakip Suli rikonfirmohet në Kamëz dhe Gledian Llatja është në epërsi në Elbasan.
Në Vorë Blerim Shera ka marrë 9638 vota ose 73.52 %, ndërsa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Indrit Hoxha ka arritur të marrë 3471 vota ose 26.48 %.
Në Kamëz Suli ka siguruar 60.65 % të votave nga 111 kuti të numëruara deri më tani, nga 133 në total.
35.11 % të votave ka marrë kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Arjan Hoxha, ndërsa kandidati i PD ka marrë 4.24 % të votave, me kandidatin Bilbil Bajraktari.
Në Elbasan, Gledian Llatja ka arritur që të fitojë 55.03% ose 24823 vota, ndërsa Luçiano Boçi ka marrë 44.97% ose 20286 vota.



