Rritja e befasishme e numrit të të prekurve nga koronavirusi i ka vënë autoritetet shëndetësore në Itali në alarm. Por ky alarm është ngritur edhe jashtë kufijve të vendi fqinj. Stella Kyriakides, Komisioneri i Shëndetësisë i BE-së, po ndjek me vëmendje të veçantë situatën në Itali. Në 48 orët e fundit, Italia është ngjitur në renditjen evropiane të infeksioneve për koronavirusin, duke lënë pas Britaninë e Madhe (9 raste), Francën (12) dhe Gjermaninë (16). Viktimat në Itali janë edhe viktimat e para evropiane, duke pasur parasysh që deri tani vdekja e vetme - e regjistruar në Francë - kishte qenë ajo e një turisti kinez 80-vjeçar. Duke pasur parasysh natyrën e shpërthimit që ndodhi në Lombardi dhe Veneto, në Bruksel është përhapur frika se situata do të degjenerojë në ditët në vijim, me një rritje të mundshme eksponenciale të infeksioneve. Një skenar makthi që rrezikon të ketë pasoja serioze në shëndet, por edhe në nivelin ekonomik.
Për momentin, askush nuk flet në mënyrë të qartë për ndalimin e lëvizjes së lirë të Shengenit, një masë që BE-ja do të donte ta shmangte me çdo kusht. Dhjetë ditë më parë, në përfundim të mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Shëndetit të BE-së, 27 ministrat kishin rënë dakord se ishin "të gatshëm për të marrë masa që prekin udhëtimin", por me një kusht: "Mbrojtja e lirisë së lëvizjes brenda BE-së”. Por ndërkohë, situata ka marrë një kthesë dramatike: në atë kohë, shtetet kërkonin masa për të mbrojtur veten nga "kërcënimi" i jashtëm dhe për këtë arsye fokusi kryesor ishte në udhëtimet jashtë-BE. Tani që ka një shpërthim potencialisht të rëndësishëm të brendshëm, problemi për Evropën është gjithashtu i brendshëm.
Për dy ditë, çështja është rikthyer në qendër të debatit në Itali, i ngritur nga disa figura të opozitës. "Për momentin ne nuk mund të përjashtojmë që ndonjë vend, mbase midis atyre që janë në kufi me Italinë, ta bëjë një kërkesë të tillë - shpjegon një burim në BE për “La Stampa”- por bëni kujdes: në vend që të mbrohej Italia, ky veprim do ta izolonte" . Tani për tani, çdo fjalim i tillë konsiderohet i parakohshëm. Gjithçka do të varet nga përmasat që do të marrë situata. Sigurisht që në Bruksel ekziston një shqetësim i konsiderueshëm për çdo pasojë ekonomike: Italia mbetet në fund të grafikut të rritjes dhe një ndalesë e mundshme e aktiviteteve të prodhimit në zonat më dinamike të vendit do të sillte si pasojë një ndikim jashtëzakonisht negativ edhe në PBB.
Komisionerja qipriote shpjegon se ajo ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me ministrin Roberto Speranza në orët e kaluara: "Unë jam informuar për masat e nevojshme të marra nga Italia për të gjurmuar dhe përmirësuar përhapjen e virusit Covid-19", thotë Kyriades. Nuk ka asnjë kritikë nga ana e Brukselit për qeverinë italiane, e cila në të vërtetë ishte akuzuar nga disa partnerë të BE-së se kishin ndërmarrë masa paraprake proporcionale, siç është bllokimi i fluturimeve me Kinën. Dje Komisioneri vlerësoi "veprimin e shpejtë dhe komunikimin transparent të autoriteteve italiane".
Prej dy javësh, Brukseli është përpjekur të koordinojë sa më shumë veprimet e 27 qeverive, si duke ofruar mbështetje ekonomike për riatdhesimin e italianëve nga Kina, përmes mekanizmit të mbrojtjes civile, edhe përmes nxitjes së shkëmbimit të informacionit, të konsideruar thelbësor për të parandaluar dhe kufizuar përhapjen e virusit. "Ne punojmë ngushtë me shtetet anëtare për të siguruar që sistemet shëndetësore të BE-së janë të pajisura dhe të gatshme", siguron Kyriades. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



