
Policia ka nisur verifikimet për dy punonjëset e pikës valutore në Astir e cila ra pre e grabitjes ditën e shtunë. Autoritetet bëjnë me dije se verifikimet për dy punonjëset kanë nisur me dyshimet nëse ndonjë prej tyre ka bashkëpunuar me autorin nisur edhe nga dera që ka qenë e hapur për t'u futur autori lehtësisht në vendin ku ndodheshin paratë. Pika valutore ra pre e grabitjes pak minuta pasi kishte nisur aktivitetin mëngjesin e të shtunës, ndërsa dyshohet se autori arriti të merrte 30 mijë euro përmes kërcënimit me armë ndaj punonjëseve. E gjithë grabitja ndodhi për 1 minutë e 20 sekonda dhe autori arriti të largohej nga vendi i ngjarjes me një biçikletë duke humbur gjurmët. Policia e Tiranës ka vendosur 5 mijë euro shpërblim për çdo qytetar që mund të japë informacion të vlefshëm për identifikimin e autorit në numrin: 0694110415, duke garantuar anonimatin e plotë.



