Misioni i OSBE-ODIHR-it që do të monitorojë zgjedhjet e 18 qershorit ka mbërritur sot në Tiranë. Në emër të misionit, ambasadori Peter Tejler theksoi se qëllimi i tij është thjesht monitorues. Tejler u shpreh se gjatë punës së tij në Shqipëri, misioni nuk do të prononcohet mbi partitë apo kandidatët në garë, por vetëm lidhur me ecurinë e procesit.
“Detyra jonë është transparenca. Ne synojmë të jemi të hapur me median. Asnjë media të mos synojë të na marrë komente në lidhje me atë që deklarohet nga partitë. Ne do t’i referohemi procesit dhe jo garës mes partive. Dua të theksoj se prezenca jonë në Shqipëri, jemi e njëjta organizatë me OSBE dhe kemi mënyrat tona të pavarura. Jemi tërësisht të pavaruar nga institucionet e tjera të OSBE-së”, tha ai.



