Eksperti i ekonomisë Mirdaim Axhami foli në edicionin e lajmeve në MCN TV për Forumin Ndërkombëtar i Turizmit FESTA, sezonin turistik 2023 dhe sfidat me mungesën e fuqisë punëtore.
Axhami thotë se shqiptarët zgjedhin të kalojnë pushimet jashtë vendit pasi ofrohen shërbime, njësi akomoduese, argëtim dhe infrastrukturë më e mirë. Eksperti i ekonomisë thotë se Shqipëria ende nuk ka një model turistik të përcaktuar qartë. Ai shton se sfida është zhvillimi i ekonomisë blu.
Lidhur me Forumin Ndërkombëtar të Turizmit ai shprehet:
Është një nismë për t’u përshëndetur që është e organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit me partnerët, Organizatën Botërore të Turizmit, GIZ dhe me organizata të tjera, që bën bashkë në tre ditë aktorët më të rëndësishëm të turizmit kombëtar dhe ndërkombëtar. Mediat ndërkombëtare e prezantuan këtë event. Dy nga 7 panelet, është njëra që ka të bëjë me markimin e destinacioneve të qëndrueshme dhe aktiviteti tjetër është i lidhur aftësitë dhe pozicionet e punës në sektorin e turizmit”.
Sa i takon rritjes së numrit të shqiptarëve që zgjedhin të bëjnë pushimet jashtë vendit, Axhami thotë:
Nuk është një gjë e re. Ishte vetëm viti i pandemisë që i detyroi shqiptarët që të pushojnë në vendin e tyre. Nuk jemi konkurrues me vende që kanë turizëm të zhvilluar. Derisa turistët shqiptarë zgjedhin t’i frekuentojnë këto vende, është plotësim i kërkesës, nevojës, preferencave të turistëve, që ne nuk arrijmë t’i mbajmë në Shqipëri, por na ikin fatkeqësisht jashtë vendit. Mungesat qoftë me nivelin e shërbimit, qoftë me shërbimet që ofrohen në njësi akomoduese apo rezort, çmimet, mundësitë e argëtimit, infrastruktura. Janë një tërësi faktorësh që ndikojnë kur konsumatori zgjedh ku do t’i kalojë pushimet. Derisa është një target grup i madh që shkon jashtë tregon që ne jemi akoma dobët për të plotësuar këto preferenca të turistëve”.
Shumica e të punësuarve janë vetëm për periudhën e verës. Sipas studimit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, është një nga problemet e para në listë. Ne kemi kontakte, pasi këto njësi akomoduese dhe tur operatorët u drejtohen universiteteve, ata janë në vështirësi”.
Axhami vë në dukje se problemi i Shqipërisë është që ka kohë turistike të kufizuar dhe s’ka turizëm gjithëvjetor.
Problemi i Shqipërisë është që ka kohë turistike të kufizuar, s’kemi turizëm gjithëvjetor. S’mund ta krahasojmë 2022-shin me 2021-shin, sepse i dimë efektet e pandemisë dhe mbajtja e rregullave strikt. Edhe lufta Ukrainë-Rusi ka dhënë ndikimin e vet. Kemi mundësi shumë më tepër se sa kaq. Një ndihmë të madhe ka dhënë edhe Aeroporti ‘Nënë Tereza’ duke shtuar numrin e destinacioneve dhe linjat low cost. Ne nuk kemi akoma një model turistik të përcaktuar qartë. Njihemi për turizmin e verës diell-plazh-det. E gjithë sfida është për të zhvilluar ‘ekonominë blu’, turizmin detar, nëpërmjet marinave, jahteve, të cilat do t’i jepnin një vrull më të madh zhvillimit të turizmit. Element për t’u përmendur është edhe kthimi i vëmendjes tek turizmi i qëndrueshëm në Shqipëri. Ishte edhe thelbi Forumit FESTA, që të marrim në konsideratë efektet që jep turizmi jo vetëm në ekonomi, por edhe mjedis”.



