Një tjetër vendim i Gjykatës së Tiranës ka hequr masat kufizuese të vendosura më herët ndaj administrimit të shoqërisë VIA, sipas një deklarate publike të bërë nga Behgjet Pacolli në rrjetet e tij sociale.
Sipas deklaratës, gjykata ka vlerësuar si të paligjshëm vendimin e mëparshëm të gjyqtares Miranda Nakaj, duke zëvendësuar masën e sigurisë të vendosur më 05.06.2026 dhe duke hequr çdo kufizim mbi administrimin e shoqërisë nga ortaku mazhoritar.
Në reagimin e tij, Pacolli thekson se çështja lidhet edhe me një vendim të mëhershëm të Gjykatës së Lartë, i cili, sipas tij, i kishte rikthyer të drejtat e administrimit të shoqërisë VIA ortakut mazhoritar (MABCO).
Ai shton se masat e mëparshme kufizuese, sipas pretendimeve të palës së tij, kanë sjellë pasoja të konsiderueshme për projektin, përfshirë edhe bllokime në funksionimin e aeroportit dhe dëme ndaj nënkontraktorëve.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se nga ky vendim i fundit hiqen të gjitha kufizimet mbi administrimin e shoqërisë, duke i hapur rrugë, sipas tij, rifillimit të plotë të aktivitetit dhe përfundimit të projektit me interes publik.
Pacolli shpreh falënderime për ekipin ligjor dhe u bën thirrje institucioneve publike që të zbatojnë vendimet gjyqësore në fuqi, me qëllim garantimin e aksesit në kantier dhe vijimin e punimeve.
Reagimi i plotë
Një tjetër vendim i drejtësisë u mor sot nga Gjykata e Tiranës, e cila hoqi masat kufizuese të vendosura në mënyrë të paligjshme nga gjyqtarja Miranda Nakaj përsa i përket administrimit të shoqërisë VIA. Gjyqtarja Nakaj është kallëzuar në SPAK për vendime që, sipas pretendimeve, janë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Lartë.
Pikërisht përmes asaj mase të kundërligjshme u bllokua mbajtja e Asamblesë së VIA-s, e paraparë për datën 06.06.2026 për ndryshimin e administratorit. Si pasojë, u vijua paligjshmëria dhe shkaktimi i dëmeve të konsiderueshme të vendosura prej Tetorit të vitit 2025, të cilat kulmuan me bllokimin e hyrjeve në Aeroport për muaj të tërë, duke privuar nënkontraktorët e Mabcos nga e drejta e tyre për të punuar për kryerjen e punëve të projektit dhe përfundimin e punimeve.
Jam falënderues sot ndaj Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila cilësoi si të marrë në kundërshtim me ligjin vendimin e gjyqtares Nakaj dhe vendosi zëvendësimin e masës së sigurimit të datës 05.06.2026, duke hequr çdo kufizim për sa i përket administrimit të shoqërisë VIA nga ortaku mazhoritar.
Në deklaratën e saj sot, gjatë shpalljes së vendimit, Gjykata u bazua edhe te arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Lartë, i cili i kishte rikthyer ortakut mazhoritar ( MABCO) të drejtën për të administruar shoqërinë dhe për të ushtruar të drejtat që burojnë nga kuota e tij.
Ky është një vendim tjetër që dëshmon në mënyrë të qartë, përmes fakteve dhe grupfakteve tashmë të provuara, se të gjitha masat e sigurimit të vendosura më parë ndaj Mabco kanë qenë të paligjshme. Siç deklarojnë gjykatat, këto masa të paligjshme janë përpjekur të neutralizojnë Mabco-n në hapjen e aeroportit.
Nga sot, asnjë masë apo vendim gjyqësor nuk ka më fuqi kundër shoqërisë sonë. Ne duam të angazhohemi sa më parë për të hapur aeroportin, për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Një falënderim i veçantë për ekipin ligjor Halimi & Ahmetaj që na ka qëndruar pranë mua dhe familjes sime, si dhe për këtë fitore të merituar ditën e sotme.
Ne u bëjmë sërish apel të gjitha institucioneve publike, përfshirë Ministrinë, Avokaturën dhe Policinë, të ndërmarrin të gjitha masat në zbatim të vendimeve të gjykatave, me qëllimin e vetëm: garantimin e aksesit në kantier të shoqërisë Mabco, punonjësve, nënkontraktorëve dhe mjeteve të punës, si dhe përfundimin sa më parë të këtij projekti me interes publik.



