
Pas aplikacionit rus, FaceApp, një tjetër i ngjashëm ka ngritur alarmin e vjedhjes së të dhënave të përdoruesve. Aplikacioni kinez Zao u lejon përdoruesve të shkëmbejnë fytyrat me njerëz të famshëm.
WeChat, variani kinez i WhatsApp-it, e ka bllokuar aplikacionin Zao në platformën e tij. Kjo do të thotë se përdoruesit kinezë mund t’i shpërndajnë videot e krijuara me këtë aplikacion, por nuk mund t’i ftojnë kontaktet e tyre ta përdorin atë, pasi do t’u shfaqet mesazhi: "Aksesi në këtë faqe është bllokuar për shkak të rrezikut të lartë të sigurisë”. Problemi kryesor i aplikacionit ka të bëjë me politikat në administrimin e të dhënave personale: pasi të jenë pranuar kushtet e përdorimit të aplikacionit, përdoruesi i jep aplikacionit të gjitha të drejtat në lidhje me përdorimin e imazheve të tij.
Zao është një aplikacion për iOS, sistemi operativ i Apple për pajisjet mobile, i zhvilluar nga kompania kineze Momo. Ai është lançuar të premten në Kinë dhe pas disa orësh është bërë aplikacioni më i shkarkuar. Rasti i ngjan atij të FaceApp, aplikacioni rus që plakte fytyrat e përdoruesve. Ekspertët ngritën alarmin se fotot e tyre, të ruajtura në serverat e kompanisë mund të përdoren për aktivitete të ndryshme përfshirë shitjen kompanive të tjera në grupin FaceApp.



