Rëndohet situata nga pandemia e koronavirusit në vend. Shifrat janë në rritje, ndërkohë autoritetet kanë shpejtuar të hapin siptalin covid-3, për të përballuar numrin në rritje të shtrimeve. Përkeqësimi i situatës pranohet edhe nga kreu i Komitetit Teknik i Ekspertëve, Mira Rakacolli, e cila në një prononcim telefonik për MCN foli për shifrat në rritje mes të cilëve edhe ata që janë vaksinuar. Sipas Rakacollit, numri i të pavaksinuarve në spitale është 32 herë më i lartë sesa ai i të vaksinuarve. Ajo i tha MCN se mes të infektuarve ka shumë persona që kanë marrë të dyja dozat e vaksinës, ndërsa e lidhi këtë fakt me imunitetin e çdo individi.
Situata epidemiologjike në vend nuk është në nivelet e duhura. Mund të them se “Delta” ka bërë që numri i rasteve të prekur nga covid-19 të shkojë në rritje nga dita në ditë. Edhe në spitale numri i të infektuarëve që marrin trajtim është rritur, ndonëse mund të them se gjendja e tyre nuk paraqitet e rënduar. Nëse do të bëjmë krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, them se me shifra jemi më mirë, por apeloj me forcë që qytetarët të vaksinohen. Numri i të pavaksinuarve të shtruar në spital është 32 herë më i lartë sesa atyre të vaksinuarve. Po kështu them se janë prekur me covid-19 persona që kanë marrë vaksinën e të gjitha llojeve. Ka nga ata që kanë bërë vaksinën Jonson&Jonson dhe Moderna jashtë vendit dhe janë të shtruar. Por 95% e të shtruarve janë të pavaksinuar.
Prej gati dy javësh kurba e të infektuarve me koronavirus në vend vijon të jetë në rritje, krahasuar me muajin korrik kur pati ulje të ndjeshme. Ndërkohë, më herët, kryeministri Edi Rama teksa iu referua këtyre shifrave, paralajmëroi të gjithë studentët dhe pedagogët se nuk do të pranohen në auditore në rast se nuk vaksinohen. Ai tha se mund të dilet me një vendim për të bërë vaksinimin të detyrueshëm për kategori të caktuara.



