Tensione mes punonjësve të kompanisë “2A Group” të Valon Ademit dhe “Mabco” të Behgjet Pacollit janë regjistruar edhe këtë të martë në hyrje të Aeroportit të Vlorës. Në zonë ka qenë e pranishme policia që prej orëve të para të mëngjesit, pas situatës së tensionuar të krijuar që nga dita e djeshme.
Punonjës të firmës “Alb-Sab Investment”, e nënkontraktuar nga “Mabco” për disa punime në terminal, pretendojnë se po pengohen të përfundojnë punimet dhe të tërheqin mjetet e tyre të punës nga kantieri.
Sipas tyre, për mbylljen e punimeve nevojiten edhe rreth 10 deri në 15 ditë, ndërsa aktualisht hyrja në kantier është bllokuar. Ata kërkojnë të lejohen të përfundojnë detyrimet kontraktuale dhe të marrin pajisjet e mbetura brenda aeroportit.
Një prej punonjësve të “Alb-Sab Investment”, Florian Hadroj, deklaroi se kompania e tij kishte realizuar punime dekorative në aeroport dhe se ndërprerja e aksesit ka ardhur pa asnjë paralajmërim.
Administratori i kompanisë time ‘Alb-Sab Investment’ ka bërë punime këtu me gips, bojë dhe pllaka, punime dekorative dhe veshje muresh. Jemi njoftuar dje dhe kemi ardhur për punë, por nuk na kanë lejuar të hyjmë brenda objektit. Ne këtu kemi ende veglat e punës dhe kemi punën pa përfunduar.
Ai tha se marrëdhënia me kompaninë “Mabco” kishte funksionuar normalisht deri një ditë më parë dhe se punimet ishin drejt fundit.
Sot kemi ardhur të mbarojmë punimet, sepse për 10–15 ditë mbaron komplet aeroporti, janë punimet e fundit. Kam të gjitha veglat dhe tani po përpiqem të shkoj t’i marr.
Lidhur me situatën reagoi edhe Selim Pacolli, i cili theksoi se kompania e tyre ndodhet në cilësinë e nënkontraktorit dhe jo të kontraktorit kryesor.
Ne jemi nënkontraktorë. Nuk jemi kontraktorë. Bëjeni dallimin. Nuk kemi telashe me të dyja grupet. Është interesi ynë që të mbarojnë punimet.
Ai shtoi se funksionimi i aeroportit lidhet drejtpërdrejt me përfundimin e të gjitha proceseve të punës, si në terminal ashtu edhe në pistë.
Aeroporti është një trup. Nuk mund të funksionojë terminali pa pistën ose pista pa terminalin. Mos na i ndërprisni punimet. Me vendime të tilla të mesit të natës, neve po na ndalohet qasja në aeroport.



