
Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese rrëzoi sot dekretin e Presidentit, Ilir Meta mbi ligjin për mediat elektronike , pjesë e paketës “Anti-shpifje”.
Presidenca u përfaqësua nga këshilltari ligjor i Metës, Bledar Dervishi, i cili deklaroi se ligji bie në kundërshtim me kushtetutën dhe se duhej të pësonte ndryshime.
“Forca ushtruese e shtetit do jetë e dyfishtë, një herë me gjobat nga AMA e më pas përmes AKEP. Të gjithë duhet të dëgjojnë deklaratat e Komisionit Europian që nëse nuk reflektohet do të ketë ndikim në procesin e integrimit europian.” tha Dervishi duke iu referuar deklaratës së djeshme të bërë nga zëdhënësja e KE-së.
Relatori socialist, deputeti i PS-së Arben Pëllumbi, u shpreh se kthimi i paketës antishpifje nga ana e Presidentit nuk qëndronte. Sipas tij argumentet e përcjella për mosdekretimin e ligjit nuk janë të qenësishme.
“Argumentet e Presidentit nuk janë të qenësishme e për këtë nuk ka pse ta rishqyrtojmë këtë ligj. Gjykoj që të rrëzohet dekreti i Presidentit”, tha Pëllumbi.
Kryetari i partisë Konservatore, Kujtim Gjuzi, ka shprehur qëndrimin e tij kundër kësaj pakete, duke e konsideruar si mënyrë për t’ju mbyllur gojën mediave, ndërsa shtetin shqiptar e ka quajtur shtet gjobvënës.
Ai theksoi gjithashtu se fakti që vetë organizmat ndërkombëtare të gazëtarëve dhe Bashkimi Europian kanë reaguar kundër këtij ligji e bën mosvënien e tij në fuqi akoma më të domosdoshme.
“Derisa reagojnë organizmat e gazetarëve ndërkombëtarë dhe Bashkimi Europian, doni t’ju lutemi apo doni të vendosni me forcën e kartonit? Edhe nëse është kështu, mandatet i keni të vjedhura. Preket fjala e lirë, ajo që me zor e kemi fituar”, tha Kreu i Partisë Konservatore.
Paketa antishpifje do të shqyrtohet nga Komisioni i Venecias.
Në faqen zyrtare të komisionit të Venecias thuhet se dy ligjet që përmbajnë paketën Antishpifje do të shqyrtohen në mars.
Po këtë muaj, Komisioni i Venecias do të marrë në shqyrtim dhe kërkesën e Presidentit Ilir Metalidhur me zgjedhjen e dy anëtarëve të gjykatës Kushtetuese.



