Historia e letërsisë turke në Ballkan, prof. dr. Isen: Mungon vlerësimi tërësor për të gjithë vendet (VIDEO)

Historia e letërsisë turke në Ballkan, prof. dr. Isen: Mungon vlerësimi tërësor për të gjithë vendet (VIDEO)

“Historia e Letërsisë Turke në Ballkan” titullohet libri i botuar së fundmi nga Qendra e Studimeve Ballkanike të Universitetit “New York Tirana” dhe shtëpia Botuese UNYT Press. Libri me autorë Prof. dr. Mustafa Isen dhe Prof. dr. Tuba Durmuş sjell në vëmendje letërsinë e vendeve të Ballkanit të shkruar me alfabet arabo-osman. Bazuar në studime e vëzhgime arkivore, në libër zenë një vend të veçantë edhe Shqipëria dhe Kosova, edhe për faktin se shqipja për një periudhë afro 200 vjeçare është shkruar me këtë alfabet dhe në arkiv gjenden mjaft dokumente dhe vepra letrare të pa studiuara siç duhet. I pranishëm gjatë promovimit të librit ishte edhe një nga autorët e tij, Prof.dr. Mustafa Isen, një nga personalitetet dhe burokratët më të shquar të Turqisë, që ka qenë për mjaft vite edhe këshilltar i presidencës. Prof. dr. Mustafa Isen, një personalitet i spikatur në botën turke. Prof. Isen ka një përvojë të pasur si pedagog brenda dhe jashtë Turqisë, si studiues me mbi 26 vepra të botuara e një numër të shumtë artikujsh shkencor. Veç kësaj Prof. Isen ka një karrierë mjaft të pasur burokratike, në Ministrine e kulturës, si deputet i parlamentit turk dhe si sekretar i përgjithshëm i presidencës turke. Gjithashtu Prof. dr. Tuba Durmuş ka një përvojë të pasur si pedagoge në Univeristetin TOBB te Ekonomisë dhe teknologjisë. Kërkimet e saj shkencore janë përqendruar në fushën e krijimtarisë letrare të periudhës osmane, si dhe në produktin që ofron ajo për historinë kulturore. Ajo ka botuar mbi 11 libra dhe mjaft artikuj shkencorë, si dhe është vlerësua me "Çmimin e Shkencëtarit të Ri të Shquar" akorduar nga Akademisë e Shkencave të Turqisë, në vitin 2017.

 

INTERVISTA

1. Çfarë kuptoni me letërsi turke në Ballkan?

Ballkani ka qenë gjithmonë një zonë me interes për fuqitë përreth, pasi është si një pikë tranzite midis Azisë dhe Evropës dhe mes Afrikës dhe Evropës. Për shkak të kësaj vendndodhjeje, rajoni hyri në interesin e Perandorisë Osmane nga gjysma e dytë e shekullit të 14-të. Nga kjo datë filloi sundimi turk në Ballkan, i cili zgjati pesë shekuj. Siç shpjegohet në detaje në pjesët e mëposhtme të punimit tonë, pushtimi osman ndryshoi gjithë jetën e Ballkanit nga lart poshtë. Qytetet e shkatërruara nga konfliktet rajonale para pushtimit osman u rindërtuan. Në pikat strategjike u ngritën shumë qytete të reja. Këto ishin të pajisura me infrastrukturë dhe objekte superstrukturore. Duke filluar nga shekulli i 16-të, këto investime filluan të jepnin rezultate në çdo fushë dhe kështu doli në pah tabloja e përcaktuar nga disa studiues si qytetërimi rumelian. Në këtë kontekst, u dëshmua një akumulim mjaft aktiv turk në fushën e letërsisë, e cila është fusha më e gjallë e kulturës osmane. Kështu, siç do të shihet gjatë këtij hulumtimi, gati gjysma e shkrimtarëve dhe e poetëve që krijoi letërsinë turke, u rrit në Ballkan. Kjo letërsi, e cila u mbështet nga disa institucione private gjatë periudhës kur Perandoria Osmane dominonte në rajon, u përball me vështirësi kur mori fund dominimi turk. Akumulimi kulturor më i fuqishëm në Ballkan, si në tërësinë e qytetërimit osman, është letërsia. Edhe pse janë bërë disa kërkime në këtë fushë, kërkime rajonale dhe kërkime nga studiues të veçantë, ende nuk është bërë një vlerësim tërësor për të gjitha vendet së bashku. Studimi ynë i titulluar “Historia e Letërsisë Turke në Ballkan” synon ta mbushë këtë boshllëk. Studimi synon të trajtojë letërsinë turke, e cila u shfaq në rajon me sundimin osman dhe vazhdon të ekzistojë në disa vende edhe sot, duke e analizuar atë që nga fillesat e saj e deri në ditët e sotme. Punimi mbulon gjithë Rumelinë, e cila gjatë periudhës osmane përfshinte rajonin në jug të Danubit, duke përfshirë gjithashtu edhe ishujt e Detit Egje (Eğriboz, Lesbos, Rodos), me përjashtim të Trakës, e cila aktualisht ndodhet brenda kufijve të vendit tonë.

2. Cila është periudha kur letërsia turke ka pasur ndikim më të madh në Ballkan?

Ndikimi ka qenë i hershëm, pasi ka filluar që me ardhjen e osmanëve në Ballkan, por sidomos në shekujt 18 dhe 19 ky ndikim ka qenë tepër i madh. Në pjesën e parë të librit është trajtuar gjerësisht gjeografia e rajonit, historia e tij para turqve dhe marrëdhënia me turqit. Në këtë pjesë është trajtuar gjithashtu ardhja e osmanëve në rajon, politikat e ndjekura prej tyre, veçanërisht institucionet arsimore dhe artistike të konsideruara si infrastrukturë e studimeve kulturore, medresetë dhe lozhat e dervishëve, si dhe shkollat në periudhën e fundit. Pas ndjekjes së një rruge të ngjashme në fazën ndarjes në shtete, u diktua se në qytete u shfaq struktura që do të përkufizohej si qytetërimi osman në Ballkan dhe u bë një vlerësim i detajuar mbi qytetet dhe poetët që jetuan e punuan në këto qytete. Për shembull, gjatë sundimit osman, sot Maqedonia e Veriut, Greqia, Shqipëria, Kosova, madje edhe një pjesë e Malit të Zi ishin brenda kufijve të Manastirit. Për këtë arsye, ne jemi bazuar në një analizë me qendër qytetin brenda kufijve të cilitdo shtet që ndodhet. Pas dhënies së shkurtër të informacionit historik për qytetin, renditet në mënyrë kronologjike numri i poetëve/shkrimtarëve të trajnuar në qytet. Renditja e qyteteve brenda vendit përkatës është bërë mbi bazën e numrit të poetëve që prodhuan këto qytete, duke filluar nga qytetet me numrin më të madh të tyre.

3. Në cilin vend ballkanik ndikimi i letërsisë turke ka qenë më i madh?

Sipas shifrave të marra nga analizimi i burimeve qe disponojmë, na rezulton se rreth 1894 poetë dhe shkrimtarë që kanë jetuar në të kaluarën ose që jetojnë në vendet e sotme të Ballkanit, kanë prodhuar vepra në gjuhën turke. Kjo shifër mbulon periudhën nga shekulli i 15-të e deri më sot. Me këtë shifër të arritur dhe me këtë studim të kryer, letërsia turke në Ballkan trajtohet për herë të parë me një qasje holistike dhe për herë të parë arrihet gjithashtu studimi i një numri kaq të madh poetësh e autorësh. Kështu veç qyteteve si: Dimetoka, Komotini, Selaniku, Janina, Peloponezi, Razgrad, Silistra, Zagora e Vjetër, Beogradi, Ujice, Shkodra, Shkupi, Manastiri, Tetova është zbuluar se qendra të turqishtes kanë qenë edhe qytete të rëndësishme si Prizreni, Prishtina, Sarajeva, Mostari. Nga ky këndvështrim vihet re se letërsia turke në këtë rajon është e përqendruar në Traki, gjeografikisht Maqedoni dhe Bullgari. Kësaj kornize duhet t'i shtohen edhe Bosnje-Hercegovina e Shqipëria.

4. Ç'mund të na thoni për ndikimin e letërsisë turke në Shqipëri dhe në tokat e tjera shqiptare të Ballkanit?

Ndikimi i letërsisë turke në Shqipëri nuk ka qenë i vogël. Kur themi këtë e kam fjalën jo vetëm për ndikimin brenda kufijve zyrtarë të Shqipërisë së sotme, por edhe për ndikimin tek shqiptarëe e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Greqisë. Ka pasur mjaft autorë shqiptarë të njohur që janë ndikuar nga letërsia turke dhe kanë shkruar me alfabet arab.

5. Çfarë do t'u rekomandonit studiuesve të Ballkanit dhe studiuesve turq për studimet që mund të kryhen më tej në këtë fushë?

Në fushën e këtyre studimeve ka shumë për të bërë. Ende në arkiva ka dokumente të pashfrytëzuara që i përkasin kēsaj letërsie. Për më tepër në Ballkan, ka ekzistuar letërsia alhamiado dhe në Shqipëri e ashtuquajtura letërsi e bejtexhinjve, e cila është letërsi vendase e shkruar me alfabet arab. Studimet për to janë të pakta. Studimi i këtyre letërsive i shërben shumë filologjive të këtyre vendeve, si nga pikëpamja gjuhësore e shkrimore, ashtu edhe nga pikëpamja letrare. Njohja e mirë e tyre do të mbushte zbrazëtinë në historinë e shkrimit dhe letërsisë së këtyre vendeve.

Bisedoi: Blerina Goce

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy