
Autoritetet meksikane kanë ngritur nivelin e alarmit për vullkanin Popocatepetl, i cili ka rritur aktivitetin e tij dhe mund të ndikojë në trafikun ajror dhe jetën e atyre që jetojnë aty pranë, duke përfshirë edhe popullsinë e zonave më larg.
Mbrojtja Civile ka njoftuar se niveli i alarmit është rritur nga faza 2 e verdhë në fazën 3 portokalli, pasi operacionet në aeroportin e Mexico City u pezulluan përkohësisht të shtunën për shkak të rënies së hirit.
Niveli aktual është ai që i paraprin të kuqes, me rrezikshmëri të lartë, i ndarë gjithashtu në dy faza, shpjegoi në konferencën për shtyp koordinatorja e Mbrojtjes Civile, Laura Velazquez.
Popocatapetl, i vendosur në Meksikën qendrore, është një nga vullkanet aktive më të rrezikshme në Amerikën Latine. Ai rifilloi aktivitetin e tij shpërthyes në vitin 1994.



