
Kryetari i parlamentit Kadri Veseli ka falënderuar Haradinajn dhe LDK-në që kontribuan në zgjidhjen e kësaj çështje, dhe ka theksuar se Projektligji për Demarkacionin mbetet i njëjtë siç ka ardhur nga Qeveria e Kosovës, përveç se në Pikën 1.2 të Nenit 3 është shtuar fjala “si orientim”, me kërkesë të LDK-së.
Veseli në një postim në rrjetin social "Facebook" lidhur me konsensusin e arritur sot mes partive politike për çështjen e demarkacionit. "Pas bisedës që kam pasur sot me Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, është arritur pajtueshmëri që Projektligji për Demarkacionin të mbetet i njëjtë siç ka ardhur nga Qeveria e Kosovës, përveç se në Pikën 1.2 të Nenit 3 është shtuar fjala “si orientim”, me kërkesë të LDK-së, pikë kjo në të cilën flitet për Dokumentacionin Zyrtar të Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit”, ka thënë Veseli.
Gjithashtu Veseli ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Serbe, që ta votojnë marrëveshjen.
“Ftoj edhe subjektet tjera politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Serbe, që të reflektojnë dhe të votojnë “pro” Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit të Kosovës me Malin e Zi”, ka shkruar Veseli.



