
Sadik Khan konfirmoi të mërkurën se do të kërkojë një mandat tjetër si kryebashkiak i Londrës, kur mandati i tij aktual të përfundojë në vitin 2020.
"Do të kandidoj përsëri për të qenë kryetari i bashkisë, po kjo është hera e parë që e them publikisht", tha politikani laburist gjatë emsionit të drejtuar nga këngëtarja Jessie Ware.
I pyetur për marrëdhënien e tij me Donald Trump, të cilin ai e ka sfiduar në Twitter në të kaluarën, Khan tha se shpresonte që protestat kundër vizitës së planifikuar të presidentit amerikan në Mbretërinë e Bashkuar në korrik do të ndihmonin në ndryshimin e opinionit publik në të gjithë Atlantikun.
"Është e drejtë dhe e përshtatshme që ne të jemi qytetarë aktivë dhe të marshojmë, të lobojmë e të protestojmë", tha ai, duke sqaruar se protestat duhet të bëhen "në mënyrë paqësore".
"Kur njerëzit e shohin se Londra, një qytet që i do amerikanët dhe Amerikën, ku amerikanët kanë bërë shtëpinë e tyre, po protestojnë në mënyrë paqësore kundër disa prej gjërave që po bën presidenti i tyre, shpresoj që njerëzit ta vënë re këtë", vazhdoi më tej.
Khan, i cili u zgjodh në vitin 2016 dhe është kryebashkiaku i parë mysliman në Londër, shtoi se do të qëndronte larg angazhimit me provokimet e "Twitter" të Trump. "Është pak e çuditshme. Unë nuk dua të përfshihem në këtë përplasje, unë nuk jam një pjesëmarrës aktiv", tha ai.



