
Zv/ministri i Jashtëm i Greqisë, Miltiadhis Varviciotis ka komentuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, pa lënë pas edhe vizitën e kryeministrit Rama në Turqi.
Varviciotis e ka konsideruar takimin mes Ramës dhe Erdoganit si një takim i kufizuar në çështje ekonomike duke shmangur në këtë mënyrë deklaratat politike
“Në lidhje me vizitën Rama në Turqi rezultatet që ne nxorëm nga ky takim janë se u kufizua në çështjet ekonomike dhe marrëveshje ekonomike mes dy vendeve, duke shmangur çdo deklaratë politike, që mund të karakterizonin dhe një bashkëpunim ushtarak strategjik nën kuadrin e NATO-s”, ka thënë zv.ministri.
Lidhur me zgjerimin e Greqisë me 12 milje detare dhe marrëdhënen mes Shqipërisë dhe Greqisë ministri grek është shprehur se kjo çështje do të shqyrtohet në Gjykatën ndërkombëtare të Hagës dhe se të dyja vendet po përgatisin dosjet me pozicionet përkatëse.
“Jemi në një bashkëpunim të ndërsjelltë” ka deklaruar ai.
“Çështja e dytë që kemi me Shqipërinë është përcaktimi i ZEE, siç dihet do të realizohet përmes Gjykatës Ndërkombëtare. Të dy palët jemi në fazën e përpunimit të dosjes me pozicionet përkatëse që do paraqesim në Hagë. Siç e dini, në Shqipëri ka reagime të fuqishme të brendshme në lidhje me zhvillimet e fundit me zgjerimin e Jonit me 12 milje, nga Greqia, madje deklarata janë bërë edhe nga presidenti i vendit, Ilir Meta dhe nga opozita, ndërsa qeveria e Ramës ka deklaruar hapur se është e drejta e Greqisë, që nuk cënon aspak të drejtat e Shqipërisë dhe nuk është e nevojshme klima e nënshtrimit që duan të ushqejnë zërat kundër.” Tha Varviciotis



