Deputeja e PS-së, Mirela Kumbaro, gjatë një interviste për TvT ka dhënë opinionin e saj lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, por jo vetëm.
Emërimi i Bledi Çuçit nga kryeministri Rama në postin e ministrit të Brendshëm u përfol si një zgjedhje e lidhur ngushtë me 25 prillin, datën e zgjedhjeve, por Kumbaro ka deklaruar se ky emërim nuk ka lidhje me zgjedhjet dhe se është një opsion i shkëlqyer.
“Nuk e shoh fare të lidhur me 25 prillin zgjedhjen e Bledi Çuçit, pasi është një politikan me karrierë të gjatë politike, me një portofol mjaft të gjerë. Është një prurje shumë e vyer për Ministrinë e Brendshme, një vlerë e shtuar për Ministrine e Rendit. Më duke zhgjedhje e shkëlqyer”, është shprehur Kumbaro.
Lidhur me akuzat e Partisë Socialiste kundrejt opozitës se kanë organizuar politikisht protestën e Klodian Rashës duke ushqyer dhunë, Kumbaro ka deklaruar se është e tronditur nga përdorimi i minorevëve nga këto forca politike.
Kumbaro shprehet se të rinjtë shqiptarë dinë të organizojnë protesta paqësore dhe e dinë ç’është protesta, për këtë arsye nuk përjashton përfshirjen e forcave politike në protestë pasi sipas saj janë parë edhe eksponentë të këtyre partive gjatë këtyre ditëve.
“Është kaq i përhapur dhe përforcuar se të tilla protesta janë të organizuara politikisht.Vrasja e një 25-vjeçari pa asnjë arsye të justifikueshme dhe domethënëse është tragjedi, e cila na le të trishtuar. Nga ana tjeter justifikoj dhe mirëkuptoj zemërimin dhe emocionin e fortë që duhet zbrazur dhe shkarkuar. Në kohë pandemie, kjo ngarkesë bëhet më e madhe dhe është krejt normale të ketë ndjenjë zemërimi. Protesta është një e drejtë demokratike që duhet ushtruar brenda ligjit. Më ka tronditur përdorimi i fëmijëve në frontin e parë të dhunës që degradoi protesta. Skena e tmerrshme në Shkodër nuk ka ndodhur të sulmohet një seli partie, muzeu apo biblioteka dhe nuk mund t’i justifikoj me të drejtën e protestës. Në protestën e studentëve nuk u thye asgjë dhe pastronin edhe mbeturinat. Nuk është se të rinjtë nuk e dinë çfarë është protesta. Nuk ka ndodhur kurrë të përdoren të rinjtë si kamikazë. Nuk është e pamundur që opozita t’i ketë organizuar pasi shumë eksponentë të tyre kanë qenë atje. 12-13 vjeçarët nuk mund të zgjohen me dëshirën për të shkulur semaforët. Nuk mund t'ua shenjojnë jetën 12-13 vjeçarëve me të tilla protesta, aq më keq nëse është përdorur edhe pagesa. Unë këtu bëj përgjegjës këto segmente të politikës që përdorin të rinjtë”, është shprehur Kumbaro.
Pas deklaratës së sotme të Komisioneres së Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç, për dhunën ndaj gazetarëve, Kumbaro shprehet se gazetarët duhet të jenë të identifikueshëm dhe se janë absolutisht imunitet për shkak të detyrës.
Dhunën në protesta, Kumbaro nuk e sheh si proporcionale, pasi sipas saj nga protestat kanë dalë të dhunuar policët dhe jo qytetarët.
“Për sa i perket gazetarëve, e ndaj këtë shqetësim. Gazetarët kur janë në detyrë kanë imunitet të shtuar dhe më të madh se qytetarët e tjerë. Unë vij nga protestat dhe gazetarët kanë detyrën të jenë të identifikueshem nga të tjerët. Këto jane epsiopde të trishta, nuk dua t’i justifikoj efektivët e policisë, pasi është e vështire të përballesh aty ku ka dhe të mitur. Por unë mendoj që është një moment i rëndeshishem për të reflektuar, që ato rregulla ndërkombëtare për gazetarët të respektohen për të lehtesuar situatat në protesta. Dhuna e policisë, kemi qënë dëshmitar se si policia ka ndërhyrë, për të bërë të mundur lejimin e të drejtës së protestës. Në protesta kemi të lënduar policë dhe jo protestues. Një dhunë që është ushtruar në mënyrë provokuese, dhe në çdo vend të botes policia ka një detyrë, kur preket prona publike ta mbrojë. Normalisht duhet minimizuar dhe duhet ushtruar e drejta e protestës pa ushtruar dhunë.” Ka deklaruar ajo.
Lidhur me deklaratën e kreut të Vetvendosjes, Albin Kurti, se protestat janë shenjë se në Shqipëri duhet të ndryshojë sistemi politik, Kumbaro shprehet se për ndryshim sistemi mund të flasin vetëm ligjvënësit dhe janë vetëm qytetarët që mund të vendosin se cila forcë politike do të kryesojë.
“Unë besoj që kur vjen koha që formulat politike të ndrysnojnë në Shqipëri e vendos ligjvënësi shqiptar. Kemi 25 prillin ku qytetarët shqiptar do ta vendosin cila force politike do të qeverisë.” ka deklaruar ajo.
Deputetja e PS-së, Mirela Kumbaro e cila është angazhuar në rishkrimin e ligjit për mediat audiovizive deklaron se kjo iniciativë nuk ka të bëjë vetëm me televizionin dhe radion pasi veprimtaria e mediave është shtrirë edhe në portae me imazhe dhe zë.
Kumbaro tha se pasi ky amendament të ketë përfunduar do t'u nënshtrohet diskutimeve publike dhe grupeve të interesit.
“Nuk është tamam rishkrim, janë disa mendime për ligjin e medias audiovizive, radio dhe tv. Nga ana tjetër, veprimtaria e mediave është e shtrirë dhe në portale me imazhe dhe zë është një iniciativë për amendim për të shtrirë të njëjtin ligj edhe në këtë hapësirë të re mediatike. Jemi në komunikim të shkëmbimeve dhe amendamenteve në fjalë. Kur ta kemi konkluduar, duke përmbushur 100% rekomandimet e Venecias, do t’u nënshtrohet edhe diskutimeve publike apo grupeve të interesit”, ka deklaruar deputetja Kumbaro.



