Rigels Xhemollari, drejtues në Qëndresa Qytetare, foli përmes një lidhjeje skype në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi raportin për zgjedhjet që kjo organizatë ka bërë në bashkëpunim me Komitetin e Helsinkit dhe Institutin e Studimeve Politike. Xhemollari evidenton disa shqetësime, si nisja e fushatës para datës që parashikon Kodi Zgjedhor, apo fakti që masa si bonusi për pensionistët mund të përdoren si mall tregu për votat. Ai kërkoi transparencë financiare nga partitë për eventet, ndërsa u shpreh se me kufizimet e reja, nëpunësit nuk duhet të bëhen pjesë e fushatës publikisht.

“Nga 11 janari fillojnë kufizimet që Kodi Zgjedhor parashikon, qoftë për institucionet publike, nëpunësit e administratës, apo vetë subjektet zgjedhore, partitë politike. Kemi bërë një reagim që përfshin disa shqetësime që kanë ardhur në kohë nga organizatat tona, apo për një monitorim të bërë. Fushata politike edhe pse është e parashikuar 30 ditë nga zgjedhjet, ajo ka filluar shumë herët, në diasporë me takime dhe tubime të mëdha, por edhe brenda vendit me takime të vogla, qoftë të drejtuesve të qarqeve politikë dhe ministrave në detyrë. Kemi bërë apel që të paktën të bëhen transparente financat e partive politike që përdoren për të organizuar këto evente, si udhëtimet, apo si dhe shpenzimet e tjera.
U kemi bërë thirrje nëpunësve të administratës publike, të cilët sot janë rreth 200 mijë nëpunës, për të cilët hyn një kufizim i ri, ku nuk duhet të bëhen pjesë e fushatës publikisht, s’duhet të postojnë, pëlqejnë, shpërndajnë, postimet e kandidatëve, subjekteve zgjedhore dhe politikanëve garues më 11 maj. U kemi bërë thirrje edhe organeve të hetimit penal, si SPAK-ut, por edhe KQZ, për të qenë më vigjilent dhe më efektiv, në luftën për të evidentuar, parandaluar, por edhe ndëshkuar krimet zgjedhore. Dyshimi apo shqetësimi jonë lind edhe nga burimet financiare.
Kemi hedhur dyshimet se krimi i organizuar financon fushatat zgjedhore, se bizneset apo financimi i paligjshëm i parave të ekonomisë shkon në fushata zgjedhore. Kryesisht janë forcat tradicionale si PS, PD, por kemi vënë re edhe forca të tjera që kanë filluar këtë lloj gare, që ka nevojë për transparencë, më shumë integritet. Ajo që na shqetëson më shumë ne lidhet me PS, që administron të gjitha burimet shtetërore në vend. Kemi parë se si kohët e fundit është keqpërdorur buxheti i shtetit për të financuar disa kategori, që janë në nevojë ekonomike, por s’mund të lejojmë që që vota e tyre të jetë mall tregu, për t’i çuar drejt kutive të votimit. Duhet një rritje e përhershme pensionesh, jo për zgjedhje. Ka tendencë për të promovuar ato taksa dhe çmime që reduktohen”.



