
Banorët e Matit vijojnë protestat kundër ndërtimit të hidrocentralit të Sekës në lumin Zall Gjoçaj. Ata thonë se hidrocentrali i ri do të vërë në rrezik furnizimin me ujë të shumë fshatrave. Ata kanë bllokuar rrugën e re që është hapur në kuadër të punimeve dhe kanë ngritur një çadër, në të cilën rrinë prej dy javësh.
Banorët e zonës thonë se HEC-i i ri do të lërë pa ujë 13 fshatra, duke dëmtuar kryesisht bujqësinë, me të cilën ata jetojnë. Ata thonë se autoritetet dhe kompania nuk kanë zhvilluar konsultime publike me ta, madje as nuk i kanë vënë në dijeni për projektin.
Këtë të fundit e ka marrë përsipër kompania Seka Hydropoëer, e cila në vitin 2013 ka lidhur një kontratë koncesionare me Ministrinë e Energjisë.
Fillimisht kompania koncesionare ka qenë në pronësi të shoqërive “Hydro-Project” dhe “Gener 2”, por menjëherë pas miratimit të koncesionit në shtator 2013, kompania ‘Gener 2’ i ka shitur aksionet tek ‘Hydro-Project.’ Hydro-Project sh.p.k është një kompani me investitorë italianë të specializuar në fushën e energjisë hidrike.



