
Disa vatra zjarri kanë shpërthyer gjatë fundjavës në qarkun e Vlorës.
Korrespondenti i MCN Tv, Edi Ruçi tha gjatë një lidhje të drejtpërdrejtë me MCN Live se zjarri që ka shpërthyer në Pyllin e Sodës ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, pasi është djegur një sasi e madhe pishash.
Po ashtu Ruçi bëri me dije se një tjetër vatër gjatë fundjavës ka qenë ajo tek fusha e mbetjeve në lagjen “24 maji” në Vlorë.
Vlora është rrezikuar nga disa vatra aktive zjarri. Situata ka qenë kritike përgjatë mbrëmjes të së shtunës, me vatrën e parë në Pyllin e Sodës. Ka marrë flakë pylli me pisha. Flakët janë favorizuar nga era. Pas marrjes së telefonatës kanë shkuar në vendngjarje zjarrfikëset dhe e kanë vendosur nën kontroll pas 5 orësh në luftë me zjarrin. Numri i pishave dhe hapësirës që është djegur ka qenë i konsiderueshëm. Zjarrfikësja e Vlorës ka qenë e ndarë dhe në një tjetër vatër, atë në zonën e Orikumit, dhe është dashur ndërhyrja e menjëhershme. Ka qenë e vështirë për shkak të terrenit të vështirë.
Një tjetër vatër zjarri ka qenë dhe në fushën e mbetjeve në lagjen “24 maji”. Fusha e mbeturinave është përfshirë nga flakët. Për rreth 4 orë, zjarrfikëset kanë luftuar. Situata në kontroll është vendosur mëngjesin e të dielës.
Më tej, Ruçi tha se prej 15 vitesh nuk ka asnjë investim në godinën dhe infrastrukturën e zjarrfikëses në Vlorë.
Institucioni i zjarrfikëses është një nga institucionet që prej 15 vitesh nuk ka parë asnjë investim. Godina është e shkatërruar dhe nën pushtetin e lagështisë. Vlora ka 10-11 automjete zjarrfikëse. Mjetet në funksion të plotë janë vetëm 3.
Zjarrfikësit e gjejnë mbështetjen tek degët e pemës për të shuar flakët. Është situatë që nuk ka ndryshuar asnjëherë.



