Policia e Vlorës ka shpallur në kërkim ndërkombëtar një 47-vjeçar, i dyshuar si autor i vrasjes së dy vëllezërve disa vite më parë. Sipas policisë, është zbardhur vrasja e dy vëllezërve, e ndodhur në vitin 1998 në Vlorë.
Burimet zyrtare bënë të ditur se është identifikuar dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasi G. S.
“Seksioni i Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, ka bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes së ndodhur në vitin 1998, në lagjen ‘Pavarësia’, Vlorë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri 2 vëllezër, shtetasit B. H. dhe E. H”, njoftoi policia.
Si rezultat i hetimeve të kryera, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë u bë shpallja në kërkim ndërkombëtar e autorit të dyshuar, shtetasit G. S., 47 vjeç, të cilit Gjykatës e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Vijon puna intensive për lokalizimim dhe arrestimin e këtij shtetasi.



