Heqja e masës së reciprocitetit ka qenë me leverdi për Serbinë. Brenda 12 ditëve pas shfuqizimit të kësaj mase, Serbia ka futur në tregun e Kosovës produkte në vlerë prej 8.5 milionë eurosh, ndërsa Kosova ka eksportuar në Serbi produkte në vlerë prej vetëm 1.1 milion euro. Të dhënat i bën të ditur zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për Evropën e Lirë.
Megjithatë, sipas Stavilecit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, kur nuk ka qenë në fuqi as taksa doganore 100 për qind dhe as reciprociteti, ka një rënie të produkteve të importuara nga Serbia.
“Jemi shumë mbrapa kthimit në parametrat e njëjta, pasi që nëse merren 12 ditë që nga heqja e reciprocitetit, kemi mbi 8 milionë euro dhe nëse vazhdon ky trend nënkuptojmë që në një muaj të plotë mund të kemi deri në 16 milionë euro import të mallrave nga Serbia, derisa para zbatimit të masës 100 për qind, importi mujor nga Serbia ka arritur shifrën e 35 milionë eurove”, tha Stavileci.
Taksat e grumbulluara gjatë kësaj periudhe nga importi me Serbinë, sipas Stavilecit, janë mbi 1 milion euro.
Produktet e importuara janë kryesisht ushqimore dhe materiale ndërtimi.
Taksa 100% qëndroi në fuqi për gati dy vjet, një vendim i marrë nga qeveria “Haradinaj”. Taksa 100 % u zëvendësua nga masa e reciprocitetit një muaj më parë, nga qeveria “Kurti”.
Por me rënien e qeverisë “Kurti”, qeveria “Hoti” më 6 qershor shfuqizoi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë për t’i hapur rrugë dialogut Kosovë – Serbi, i cili ishte ndërprerë për shkak të vendosjes së taksës doganore.



