Trazirat shpërthyen në qytete anembanë Kazakistanit të mërkurën, pasi mijëra protestuan me zemërim kundër një rritjeje të çmimit të karburantit që shkaktoi dhe dorëheqjen e qeverisë së vendit të Azisë Qendrore.
Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në kryeqytetin e Kazakistanit Nursultan, qytetin më të madh të tij Almaty dhe në rajone të tjera pas demonstratave të tensionuara.
Në tre qytete, zyrtarët e administratës lokale u sulmuan, ndërtesat u dëmtuan dhe "u përdorën gurë, shkopinj, gaz dhe molotov", sipas një deklarate nga Ministria e Brendshme.
Protestat u ndezën kur qeveria hoqi kontrollet e çmimeve të gazit të lëngshëm të naftës (LPG) në fillim të vitit, raportoi Reuters. Shumë qytetarë i kanë konvertuar makinat e tyre për të punuar me karburant për shkak të kostos së ulët.
Kryeministri Askar Mamin dha dorëheqjen mes protestave dhe presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev mbajti një takim mbi "situatën e vështirë socio-politike dhe socio-ekonomike në zhvillim në vend", sipas një deklarate të publikuar në faqen presidenciale të mërkurën.
Alikhan Smailov është emëruar si kryeministër dhe anëtarët e qeverisë do të vazhdojnë të shërbejnë deri në formimin e kabinetit të ri, thuhet në deklaratë.
Presidenti kazak tha se një numër masash që synojnë "stabilizimin e situatës socio-ekonomike" ishin vendosur, duke përfshirë rregullimin e çmimeve të karburantit për një periudhë prej 180 ditësh, një moratorium për rritjen e tarifave të shërbimeve për popullsinë për të njëjtën periudhë dhe konsiderimi i subvencioneve të qirasë për "segmentet e cënueshme të popullsisë".
Të martën në mbrëmje, Tokayev tha në Tëitter se qeveria ka vendosur të ulë çmimin e LPG-së në rajonin Mangistau në 50 tenge (0,11 dollarë) për litër "në mënyrë që të sigurojë stabilitet në vend".



