Njerëzit me ngjyrë janë dy herë më të prirur për t’u infektuar nga Covid-19. Një studim që mori në shqyrtim të dhënat e 18 milionë njerëzve tregoi se aziatikët kanë 1.5 herë më shumë gjasa se të bardhët për t’u infektuar. Studiuesit e universiteteve Leicester dhe Nottingham mblodhën të dhëna nga tetë studime në Mbretërinë e Bashkuar dhe 42 të tjera në Shtetet e Bashkuara.
Konkluzionet u botuan në revistën EClinical Medicine.
Autori kryesor i studimit të fundit, dr. Manish Pareek, tha se ka pak prova që tregojnë se rreziqet rrjedhin nga faktorët gjenetikë. Tendenca për t’u infektuar mund të shpjegohet me punën që bëjnë dhe mënyrën e jetesës.
“Njerëzit që u përkasin pakicave etnike, kanë më shumë të ngjarë të punojnë në vijën e parë të frontit dhe të jetojnë në familje të mëdha”, tha Pareek.
“Ne duhet të punojmë për të minimizuar ekspozimin ndaj virusit të këtyre grupeve në rrezik, duke ua lehtësuar qasjen me kohë në burimet e kujdesit shëndetësor”, tha studiuesja tjetër, dr Shirley Sze.



