
Është mbyllur vetëm disa minuta nga koha që kishte filluar seanca parlamentare e para e këtij sesioni, pasi deputetët e opozitës dolën në foltore duke bllokuar kështu vijimin e seancës.
Kryeparlamentari Ruçi i ndërpreu fjalën kreut të grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spahos dhe pas kësaj pati një reagim zinxhir nga demokratët.
Ata janë ngritur para foltores.
"Ulu se do të ta jap unë fjalën", ka thënë Ruçi.
Aty është parë edhe kryedemokrati Lulzim Basha, ndërsa Ruçi ka vazhduar tu bëj thirrje të uleshin, ka njoftuar edhe ndërprerjen e seancës për 5 minuta.
"Pse ngrihesh. Kryetar, uli poshtë. Bëj liderin. Ulu mos bëj badigardin e kryetarit të grupit. Bëj liderin", është shprehur Ruçi.
Debati nisi për shkak të procedurës kur kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho po prezantonte nismën e 55 deputetëve të opozitës për ndryshimet kushtetuese. Kreu i Kuvendit Ruçi i kërkoi Spahos që të ulesh për shkak se fjala do t'i jepej më vonë kur të nisnin diskutimet për ligjet.



