Viti 2021 ka shënuar një përkeqësim dramatik të gjendjes së gazetarisë në mbarë globin. Sipas organizatës “Reporterët pa kufij”, gjatë vitit të fundit të pandemisë, gazetaria është bllokuar plotësisht ose pjesërisht në rreth 73% të 180 vendeve të botës. Situata ka njohur përkeqësim edhe në Shqipëri, ku pas monitorimit të Pronësisë së Mediave ka zbuluar se tregu i mediave në Shqipëri është shumë i përqendruar.
Megjithëse shumica e tregut mediatik kontrollohet nga një numër i vogël i pronarëve të fuqishëm me lidhje të forta politike, disa media të pavarura dhe gazetarët shpesh përballen me kërcënime dhe abuzime verbale nga politikanët. Disa pronarë të mëdhenj kanë lidhje të forta politike dhe kontrollojnë gati 90% e pjesës së tregut.
Sipas Reporterëve pa Kufij, denigrimi i medias shpërfaqet shpesh në retorikën e kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë viteve të fundit ka përdorur gjithnjë e më shumë komunikimin përmes mediave sociale për të shmangur vëzhgimin nga gazetarët.
Organizata citon ekspertët sipas të cilëve prapa gjuhës që politikanët përdorin , qëndron një ‘strategji abuzimi’, e cila synon të heqë vëmendjen e publikut nga skandalet.
Nga 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin e 83-të, duke fituar një vend nga viti i kaluar, kur ishte në vendin e 84.
Kosova ka pësuar një rënie prej 8 vendesh nga viti i kaluar, ndërsa Maqedonia e Veriut ka fituar dy vende.
Në vendet e fundit sa i takon lirisë së shtypit, janë vende si Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut.



