Në Indonezi ka një ndëshkim të veçantë për ata që nuk mbajnë maska.
Ndërsa vendi po përballet me numrin në rritje të rasteve të reja me COVID-19, drejtuesit vendorë të Cerme-s, një zonë në lindje të Java-s, vendosën që të zbatoheshin me rreptësi politikat e distancimit shoqëror dhe mbajtjes së maskave.
Por tetë persona që e kanë shkelur këtë rregull, janë urdhëruar të hapnin varre për viktimat e COVID-19.
Një prej drejtuesve lokalë, i identifikuar nga faqja e lajmeve indoneziane Tribun News, si Suyono, propozoi dënimin për shkak të mungesës së varrezave në zonë.
"Ka vetëm tre varrmihës në dispozicion për momentin, kështu që mendova se mund t'i vija këta njerëz të punojnë me ta", i tha ai Tribun News. "Shpresojmë, kjo mund të krijojë një efekt parandalues ndaj shkeljeve", tha ai.
Për çdo varr janë caktuar dy njerëz - një për të gërmuar varrin, dhe një tjetër për të vendosur dërrasa druri ku vendosen trupat. Si vend mysliman, Indonezia nuk praktikon balsamimin apo djegien dhe trupi vendoset në varr pa arkivol.



