Një operacion i policisë së Lezhës, ka sekuestruar 40 kilogramë kanabis sativa, duke vënë në pranga tre persona.
Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se disa persona po transportonin lëndë narkotike, me dy automjete, në rrugën nacionale Shkodër- Lezhë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Zadrima”.
Si rezultat, u bë lokalizimi dhe ndalimi i dy automjeteve. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin I. D., shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 5 thasë plastmasi të mbushur me material bimor të dyshuar lëndë narkotike kanabis, e cila pas peshimit rezultoi 40 kilogramë.
Në automjetin tjetër tip “Seat” ndodheshin shtetasit Durim Mehmetaj, dhe Ergys Arrazi, të cilët shoqëronin automjetin ku u gjet lënda narkotike.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i Izmir Dervishi, 31 vjeç, Ergys Arrazi, 28 vjeç dhe Durim Mehmetaj, 37 vjeç, të tre banues në Shkodër.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërkohë që hetimet janë në vijim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.



