Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Sokol Mëngjesi, ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha te urgjenca e Spitalit të Traumës ku po merr mjekimin e nevojshëm, pas dëmtimeve të pësuara me sende të forta mëngjesin e sotëm në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, pasi kishte çuar vajzën në kopsht.
Gazetari Besmir Pula raportoi për MCN Live, se avokati ka dëmtime të shumta në kokë, në pjesën e ballit dhe aktualisht është në gjendje më të rënduar shëndetësore nga sa ishte në fillim.

Për shkak të gjendjes së rënduar ai do i nënshtrohet ekzaminimeve të tjera për të parë shkallën e dëmtimeve.
Janë ekzaminime si skanerat dhe grafitë, aq më tepër prej dëmtimeve në pjesën e kokës që janë më specifike.
Avokati ka një hemorragji në pjesën e kokës, po mbahet nën vëzhgim nga bluzat e bardha.
Ndodhet në pavionin e neurokirurgjisë dhe po merr mjekimin e duhur.
Është ende herët për të dhënë një deklaratë për shkak edhe të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Nga ana e policisë po bëhet këqyrja e kamerave të disa lokaleve aty pranë ku ndodhi ngjarja, të cilat po monitorohen nga efektivët e komisariatit nr.2.
Ndërkohë në Spitalin e Traumës është paraqitur Argita Malltezi, avokati tjetër i Berishës Genc Gjokutaj dhe përfaqësues të Dhomës së Avokatisë.



