Gjatë megaoperacionit policor të koduar “Fokusi”, janë arrestuar 12 persona dhe janë proceduar 10 të tjerë për kultivimin e lëndëve narkotike.

Si rezultat i megaoperacionit, gjatë ditës së djeshme janë goditur, tre raste, konkretisht:

-Në Fier, si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe i kontrollit permanent të territorit, në kuadër të operacionit u arrestuan 3 vëllezër, shtetasit Luan Kocaqi, 45 vjeç, Astrit Kocaqi, 51 vjeç dhe Arben Kocaqi, 49 vjeç, dhe u proceduan penalisht babai i tyre dhe djali i njërit prej tyre, shtetasit A. K., 80 vjeç dhe U. K., 18 vjeç, pasi pas banesave kishin kultivuar në tokë, 300 bimë narkotike cannabis sativa.

Përveç asgjësimit të bimëve narkotike, Policia e Fierit sekuestroi 1 armë gjahu, 2300 euro dhe rreth 500 000 lekë të rinj që këta shtetas i kishin përfituar nga shitja e drogës.

-Në fshatin Zall Herr, Tiranë, në kuadër të operacionit gjatë kontrollit në territorin e një reparti ushtarak, u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan 125 bimë kanabis.

Në vijim të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për shpërdorim të detyrës, 3 punonjës të repartit ushtarak, shtetasit: Gramoz Mullai, 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë; Rustem Koçi, 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin; Gentian Zhurda, 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie.

Gjithashtu u proceduan penalisht dhe 4 shtetas të tjerë: A. J., 41 vjeç, me detyrë Specialist Infrasktrukture; P. H., 52 vjeç, me detyrë Zv/Komandant toge; I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier; P. D., 57 vjeç, me detyrë Komandant Reparti. Këta shtetas, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike, në ambientet e repartit ushtarak.

-Në Selenicë, Vlorë, Shërbimet e Policisë bazuar në inteligjencën policore dhe si rezultat I kontrollit të territorit, arrestuan në flagrancë shtetasin Lorenc Kapaj, 29 vjeç, banues në Selenicë, pasi gjatë kontrollit të territorit të banesës së tij, Policia gjeti e sekuestroi 80 kubikë të kultivuar me fidanë kanabis, të cilët u asgjësuan me anë të djegies.

Megaoperacioni policor antikanabis “FOKUSI” vijon pandërprerë në të gjithë vendin, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri me dronët e Policisë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e GDF-së. Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për përmbushjen e objektivit të megaoperacionit “FOKUSI”, si dhe për denoncimin e çdo paligjshmërie tjetër, pasi vetëm bashkërisht mund të ndërtojmë një ambient të sigurtë.