
Akademia e Shkencave organizon sot për herë të parë në Tiranë konferencën më të madhe të nanoteknologjisë në botë, e cila do të zgjasë pesë ditë radhazi.
E titulluar “Konferenca Ndërkombëtare e Tendencave në Nanoteknologji”, në të marrin pjesë personalitete e kërkues të rinj, ndër më të spikaturit në shkencat natyrore e teknike, ku bën pjesë dhe nanoshkenca.
Sipas organizatorit, qendrat më të rëndësishme të shkencës botërore nga SHBA-të, në Spanjë e Japoni përfaqësohen në këtë konferencë me rreth 210 shkencëtarë e studiues nga 21 vende të ndryshme të botës e rajonit si nga SHBA, Japonia, Anglia, Kina, Izraeli, etj.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi tha në fjalën e tij se kjo konferencë synon të kthehet në shkëmbimin e mendimit shkencor në këtë fushë, pesë e së cilës është edhe njësia NanoAlb e ASH.
“Ndër aspektet e praktikat më pozitive të kësaj konference, është vendi i posaçëm që i kushtohet kërkuesve të rinj e studentëve të ekselencës. Kjo përvojë ka vlerë të veçantë për ne, sepse kërkimi shkencor në nano-teknologji në Shqipëri, Kosove dhe Maqedoninë e Veriut, ku shtrihet NanoAlb është relativisht i ri, e ky shkëmbim informacioni e ballafaqim rezultatesh me profesorë elitarë të fushës, do të ndikonte shumë në aftësimin, orientimin dhe të ardhmen e kërkuesve të rinj”, tha Gjinushi.
Kreu i Akademisë së Shkencave u shpreh se “në kushtet e vendeve si Shqipëria kjo praktikë do të përcjellë një mesazh pozitiv tek studentët dhe kërkuesit e rinj, se ata mund të zhvillojnë talentin dhe prirjet e tyre edhe këtu në vend, nëpërmjet mundësive që japin sot mjetet e reja të informimit e komunikimit, e sidomos lidhjet e bashkëpunimet midis qendrave të ndryshme kërkimore, produkt i të cilave është dhe kjo konferencë”.
“Është për këto arsye pse pranë Akademisë së Shkencave funksionon tashmë njësia NanoAlb, e cila për shkak të pozicionit të kolegut tonë Arben Merkoçi ka një bashkëpunim të ngushtë me ICN2 Spanjë, të cilën e falënderojmë për këtë, me bindjen se kontaktet e vendosura këtu do të mundësojnë zgjerimin e këtij bashkëpunimi edhe me institutet e qendrat e përfaqësuara në këtë konferencë, dhe se ky bashkëpunim e shkëmbim përvoje do të na ndihmojë në përmbushjen e ambicies sonë, për të cilin kemi dhe mirëkuptimin e qeverisë shqiptare, për kthimin e saj në një qendër elitare të nanoshkencës në Shqipëri, me ndikim në gjithë rajonin”, – tha Gjinushi.
Përgjatë pesë ditëve të kësaj konference, personalitete dhe krijues të rinj në shkencat natyrore e teknike, ku bën pjesë dhe nanoshkenca, do të jenë pjesë e debatit dhe shkëmbimit të mendimit shkencor në këtë fushë.



