
Ish-kryetari i KQZ Kristaq Kume foli në MCN Live mbi reformën zgjedhore dhe atë territoriale. Kume u shpreh se partitë politike në Shqipëri e trajtojnë procesin si pronë të tyren, duke harruar se zgjedhjet bëhen për qytetarët. Kume u shpreh i gatshëm që të jetë pjesë e procesit për të propozuar opsione në tavolinë.
Unë nuk dua ta vë në diskutim këtë seriozitet, pavarësisht se situata ku po zhvillohet procesi për Kodin Zgjedhor, s’është më e mira e mundshme, s’është premtuese për gjetjen e dakordësisë mes palëve. Biles mund të shkojë deri atje siç u bë në reformën e shkuar. Edhe kësaj radhe jemi me një opozitë të ndarë, duke mos qenë midis vete e dakordësuar se çfarë do të kërkojë. Sot janë dy palë brenda Parlamentit por që nuk merren vesh me njëra-tjetrën. Për mua procesi dhe ajo çka duhet të bëjë Komisioni i Reformës Zgjedhore, duhet të jetë vazhdim i asaj që u bë dhe u premtua në kuadër të rregullimit të legjislacionit zgjedhor nga partitë politike. Kujtoj që një deklaratë e të gjithë palëve në proces në atë kohë ishte se me marrëveshjen e 5 qershorit bëmë ndryshimet e para të rëndësishme, por këtu s’mbaron puna. Qëndrimi s’ishte deri në fund i njëjtë me deklaratën e bërë. Ka kaluar shumë kohë, koha që ka mbetur është prapë premtuese për objektivat. Nuk janë artikuluar më ato që u deklaruan atë kohë. Deklarata më e shpeshtë ka qenë nga partitë politike ne do realizojmë ndryshimet e Kodit Zgjedhor të kërkuara nga OSBE-ODIHR. Është kërkuar që të bëhen ndryshime në themel të gjësë. Procesin e trajtojnë si pronë të tyre. Harrojnë që zgjedhjet s’bëhen për ata, por për ne, qytetarët. Ajo që është e rëndësishme për ne është që jo vetëm të jemi pjesë e procesit, por të kontribuojmë, të dëgjohemi, të jemi pjesë e vendimmarrjes. Për mua është akoma e pakuptueshme që komisioni ta ndante në dy faza procesin, e para për legjislacionin, dhe e dyta të zgjedhjet politike. Mund të propozojmë në tavolinë opsione zgjidhje, që do e bëjnë funksionimin më efektiv të demokracisë përfaqësuese”.
Lidhur me votën e emigrantëve ish-kryetari i KQZ tha se politika deri më sot ka qenë refraktare ndaj kësaj mundësie. Sipas tij, arsyeja kryesore është që vota e emigrantëve është jashtë kontrollit apo jashtë syrit të partive.
Nuk jemi ne të parët, s’është rrugë e pashkelur, por është rrugë mirëstandardizuar. Ka përvoja goxha të formuara që ne mund t’i referohemi të vendeve të tjera. Sa më shumë të fillojmë të diskutojmë, aq më shtyjmë ditën kur vërtet dhe realisht Shqipëria do t’ua ofrojë këtë mundësi shtetasve të saj. Politika deri më sot ka qenë refraktare ndaj kësaj mundësie, për arsyet e veta. Nga më të rëndësishmet është që është jashtë kontrollit ose syrit të tyre vota e emigrantëve. Politika e ndërtoi në mënyrë të tillë gjënë që ta bëjë sa më të vështirë gjënë. Pse nuk u bë në zgjedhjet e prillit të 2021? Sepse s’donin partitë politike. Problemet kanë valenca shumë të forta politike. E bën dot KQZ? Jo. Kështu si është bërë ligji sot KQZ do ta shpërndajë votën në zonat ku ata janë të regjistruar, por mund të ketë zgjidhje tjetër. Sot kemi një kusht që s’është i paatakueshëm, që të kesh të regjistruar adresën permanente të shtetit ku je. Janë 30 mijë shtetas, nga milionë e ca...Nëse ia lë të gjithën KQZ-së do kemi dëshirën e munguar për ta realizuar këtë gjë. Ky komision duhet të bëjë depolitizimin e administratës zgjedhore. PS ka pasur si opsion futjen e nëpunësve civilë, opozita i është përgjigjur me propozime të vetat. Por ajo që ndjej se mund të ndodhë edhe në zgjedhjet e 2025-ës do shkojmë me administratë politike. Sepse edhe kreu i KQZ do vazhdojë të mbetet i tillë. Komisionerët që kemi sot janë zgjedhur në zbatim të dispozitave kalimtare të KQZ-së”.
Sa i takon referendumeve, Kume tha se qytetarët mund të pyeten lidhur me mënyrën si duan t’i zgjedhin deputetët dhe për ndryshime në Kushtetutë.
Referendumi për Kodin Zgjedhor është një proces që nuk sjell produkt. Ka ngarkesa të mëdha proceduriale, ku qytetarët s’kanë ç’të thonë për të. Qytetarët mund të pyeten si do të donin t’i zgjidhnin përfaqësuesit me sistemin aktual apo me një sistem tjetër. Ose për ndryshimet në Kushtetutë, ia vlen të pyetet qytetari për këtë gjë. Të ndryshohet ligji për referendumet. Për të fituar një referendum duhet të votojnë 1.2 milionë qytetarë. Partitë janë refraktare. Shoqëria ka një kulturë të munguar për pjesëmarrje”.



