Një deputete e Partisë Laburiste në Britaninë e Madhe, e cila u sulmua me thikë dhe armë zjarri, ka humbur tragjikisht jetën si pasojë e plagëve të rënda të marra në trup në një lagje të West Yorkshire. Parlamentarja 42-vjeçare, Helen Joanne Cox humbi jetën pasi u shoqërua me urgjencë në spital.
Sipas Policisë Jo Cox, nënë e dy fëmijëve, dyshohet se është sulmuar nga 52 - vjeçari Tommy Mair, tashmë i vënë në pranga nga ana e autoriteteve. Ky i fundit, sipas dëshmitarëve okularë në vendngjarje, pak para sulmit thirri “put Britain first” (Britana para). Gjithashtu sipas dëshmitarëve sulmi ndaj deputetes laburiste ishte praktikisht makabër. Autori i agresionit qëlloi tre here me armë zjarri në trupin e Cox dhe më pas me një thikë gjahu vazhdoi të godiste deputeten disa herë. Jo vetëm kaq, agresori e ka goditur dhe me shkelma trupin e deputetes që dergjej në trotuar në çastet e fundit të jetës.
Kryeministri britanik, David Cameron dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry shprehën ngushëllimet e tyre ndaj familjarëve të viktimës dhe dënuan aktin. Ndërsa kryetari i Partisë Laburiste, Jeremy Corbin deklaroi se vendi duhet të ndihet nën schock nga ky akt i urryer dhe e përshkroi Jo Cox si një “kolege shumë të dashur”.
“Në ditët e ardhshme, do të ketë përgjigje për mënyrën se si dhe pse ajo u vra. Por tani për tani të gjitha mendimet tona janë tek Brendan, bashkëshortin e Jo-it, dhe për dy fëmijët e tyre të vegjël. Ata do të rriten pa nënën e tyre, por mund të jenë jashtëzakonisht krenarë për gjërat që ajo bëri, gjithçka që ka arritur dhe për çfarë luftonte.” – deklaroi Corbyn për mediat.
Në të kaluaren deputetja është marrë me çështjet që lidhen me konfliktin sirian dhe emigracionin. Ky është i pari sulm me pasojë vdekjen ndaj një parlamentari britanik që nga viti 1990, kur Ian Gow u vra nga militantë të grupeve terroriste të Irlandës së Veriut.
E.N \ TemA TV



