
Ndryshimet e parashikuara në politikën fiskale mund të ndikojnë ndjeshëm në ecurinë e çmimeve dhe në nivelin e inflacionit në vend.
Paralajmërimi u bë nga Zv.guvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, gjatë diskutimit të projektbuxhetit të vitit 2027 në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat.
Sipas Ahmetajt, paketa e re fiskale mbart dy krahë të kundërt ndikimi, ku ulja e disa taksave pritet të frenojë presionet inflacioniste, ndërsa rritja e disa të tjerave mund të nxisë shtrenjtimin e jetesës.
Banka e Shqipërisë ripërsëriti thirrjen për një reformim të thellë dhe të shpejtë të sistemit të pensioneve, i cili po gjendet nën presion të lartë për shkak të faktorëve demografikë.
“Ulja e TVSH-së për disa ushqime bazë dhe reduktimi i normës së taksimit të karburanteve pritet të ushtrojnë ndikim në kahun rënës mbi çmimet, ndërkohë që rritja e përgjithshme e TVSH-së dhe reduktimi i pragut të xhiros për përfshirjen e bizneseve në skemën e TVSH-së mund të japin ndikim të kahut të kundërt.
Në tërësi, ne vlerësojmë se ndikimi neto i tyre do të varet nga pesha dhe shkalla e transmetimit te çmimet finale të konsumit. Po ashtu, dëshirojmë të theksojmë se ndikimi i drejtpërdrejtë i ndryshimeve të taksave në inflacion ka natyrë të përkohshme. Megjithatë, efekte më të qëndrueshme mund të shfaqen nëse këto ndryshime ndikojnë pritjet për inflacionin, kërkesat për paga apo sjelljen e bizneseve në përcaktimin e çmimeve,” tha zj. Ahmetaj.
Në sugjerimet e saj për të ardhmen, Banka e Shqipërisë përsëriti nevojën e një planifikimi dhe realizimi më të njëtrajtshëm të shpenzimeve buxhetore, e sidomos të realizimit të investimeve, gjatë vitit. Kjo praktikë do të mundësonte përdorimin më efikas të burimeve publike, si dhe zbutjen e luhatjeve të likuiditetit dhe të kërkesës agregate.
Në një mjedis global të karakterizuar nga pasiguri të larta, Ahmetaj kërkoi që qeveria të ketë gati plane rezervë për të mos cënuar limitin e deficitit buxhetor.
Një tjetër sugjerim kritik lidhet me mënyrën se si ministritë dhe institucionet shpërndajnë dhe shpenzojnë fondet e taksapaguesve përgjatë vitit.
Banka e Shqipërisë kërkon një planifikim dhe realizim të njëtrajtshëm të investimeve përgjatë të 12 muajve, duke garantuar përdorim më efikas të burimeve publike.
“Në një perspektivë më afatgjatë, trendet e pafavorshme demografike, si plakja e popullsisë, emigracioni dhe rënia e popullsisë në moshë pune, pritet të shtojnë presionet mbi financimin e skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duke thelluar sfidat për qëndrueshmërinë e financave publike. Kjo nënvijëzon rëndësinë e vijimit të reformave.
Banka e Shqipërisë inkurajon vijimin e përpjekjeve për reformimin e sistemit të pensioneve, me synim vendosjen e një ekuilibri të qëndrueshëm ndërmjet nivelit të përfitimeve dhe kapaciteteve financiare të skemës. Në veçanti, vlerësojmë të rëndësishëm shqyrtimin e mundësive për përshtatjen graduale të parametrave të skemës publike dhe zgjerimin e bazës së kontribuuesve, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të skemave plotësuese të pensioneve, në vijim të nismave të ndërmarra.
Paralelisht me to, e nevojshme është dhe përfshirja sistematike e projeksioneve demografike dhe e vlerësimeve të qëndrueshmërisë së skemave të pensioneve dhe të sigurimit shëndetësor në planifikimin fiskal afatmesëm dhe afatgjatë,” tha ajo.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë thekson se, në një mjedis ekonomik e financiar të karakterizuar nga pasiguri të larta dhe rreziqe të shtuara, forcimi i mëtejshëm i mekanizmave për identifikimin, vlerësimin dhe administrimin e rreziqeve fiskale është tejet i rëndësishëm.
