Avokati Jordian Daci ka folur në MCN Live pas vendimit të fundit të Dhomës së Avokatisë për të bojkotuar edhe seancat e masave të sigurimit me 10 ditë.
Daci tha se masat e sigurisë nuk mund të jepen pa praninë mbrojtësit, duke i cilësuar gjyqtarët që marrin vendime në kushte të tilla si nostalgjikë të kohës së komunizmit.
Ndër të tjera Daci paralajmëroi se me reduktimin e gjykatave në rrethe qytetarit do t’i duhet të presë 10 vite derisa një vendim të bëhet i ekzekutueshëm.
Po ashtu ai u shpreh se harta e re gjyqësore do të çojë në shpopullimin e qyteteve.
Caktimi i masave bëhet domosdoshmërisht me praninë e mbrojtësit. Mbrojtës janë anëtarët e Dhomës së Avokatisë, çdo person tjetër që mund të jetë juristë nuk plotëson kriteret ligjore. Nëse gjykatësit po gjykojnë pa praninë e avokatëve, duhet të jenë nostalgjikë për kohën e komunizmit. Sa i përket kolegëve që flasin për argumente pa vlerë, do t’u bëja thirrjen të tregohen dinjitozë. Përveç se kanë detyrimin të zbatojnë vendimin e Dhomës së Avokatisë, duhet të tregohen dinjitozë. Serbia i bllokoi proceset gjyqësore për mbi 6 muaj, Maqedonia e Veriut. Shpresoj që të ketë reagim në rastin e Shqipërisë. Është vendim ekstrem, që çon në kundërpërgjigje ekstreme. Shpresoj që të mos jemi para një skenari të manipulimit të shifrave. Me shifrat e vitit 2021, Apeli i përbashkët do ketë 28 mijë çështje. Duke qenë që 98 për qind e çështjeve gjykohen nga tre gjyqtarë, do të jenë 78 gjyqtarë, do kemi 1200 çështje për një trup gjykues. Gjykata do jetë me minimalisht me 50-60 mijë çështje. Ngarkesa do jetë 2500-3000 çështje. Që një qytetar të marr një vendim të ekzekutueshëm duhet të presë 10 vite. 50 për qind e pensionistëve do vdisnin para se të merrej një vendim. Gjendja është tepër e rëndë. Duhet t’i japim të drejtë çdo qytetari të jetojë atje ku do. Kjo hartë do çojë në shpopullimin e qyteteve.
Harta ka për detyrim të marrë parasysh ndarjen territoriale, infrastrukturës. Reforma territoriale në vetvete ka probleme pa fund, sepse shkojmë drejt një shteti rajonal që s’ka lidhje me ne, që bazë kemi qarkun. Ajo që pretendon të ofrojë kjo hartë është më pak nga standardi që ka ofruar Shqipëria në vitin 1921, në vitin 1944. E kuptoni se çfarë cilësie gjykimi?! Ofrojmë standarde më të vogla se sa ka ofruar Shqipëria nën pushtim. Nëse s’u ofrojmë gjykata, infrastrukturë rrugore, përse duhet të paguajmë më taksa. Kjo është një politikëbërje që synon të mbulojë diellin me shoshë për situatën e rëndë që është krijuar sot. Kemi më shumë se 60 për qind mungesë të magjistratëve në sistem, kjo gjykata s’do mund të punojë dot as për 5 vite të reja. Do bllokohet totalisht dhe do vijë një moment kur do ketë 80 mijë, 100 mijë çështje dhe s’do ketë njeri që t’i zgjidhë ato. Nga tre shtylla që duhet të ketë sistemi gjyqësor në një shtet demokratik, ne jemi një shtyllë që s’konsiderohemi fare. Avokati është ndërgjegjja juridike e vendit. Shqiptarët ia kanë pirë lëngun periudhës kur avokati ishte i panevojshëm”.



