Pas orës 13:00 të ditës së sotme nuk do të lejohet asnjë qytetar në rrugë. Për këtë arsye edhe mjetet e Ushtrisë kanë dalë në rrugë në mbështetje të Policisë së Shtetit.
Ministria e Mbrojtjes deklaron se efektivë të FA (Policia Ushtarake dhe Forcat Tokësore) me mjetet e blinduara HUMVE, kanë nisur patrullimin në kryeqytet.
Gjithashtu, autostradën Tiranë-Durrës dhe në qytetin e Durrësit në mbështetje të policisë për disiplinimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e rregullave të vendosura këto ditë.
Patrullat do të jenë në levizje të vazhdueshme.
Deri më sot, kanë qenë jo të paktë qytetarët që kanë thyer urdhrat e qeverisë dhe janë ndëshkuar.
Edi Rama: Pas orës 13:00 Shqipëria do të jetë një shtëpi e mbyllur për të gjithë javën.
Rama tha se kush do ta shkelë do të përballet me forcën e ligjit dhe do të futet në listën e zezë si "tradhëtar lufte", gjithashtu do u mohohet çdo lloj ndihme që përfitohet në kohën e luftës.
Orari i ri do të qëndrojë gjatë gjithë javës.
"Qëndrimi në vend ulur apo me të tjerë, dhe natyrisht ecja me të tjerë nëpër lagje apo rrugë gjatë orarit të lejuar për lëvizje nuk do të tolerohet më paqësisht. Nuk do të mjaftohet më me gjoba, këshilla e sensibilizim, policia ushtria do të mbikqyrin çdo lagje në Tiranë e Durrës ku kemi zonën më të kuqe, dhe patjetër çdo zonë urbane të këtij vendi, duke fotografuar dhe futur në listën e zezë të tradhëtarëve çdo individ që merr diell luan domino apo bën gallatë. Këta individë do e paguajnë shtrenjtë", tha Rama.



