
Republika e vetëshpallur Popullore e Donetskut (DPR) hapi të martën një ambasadë në Rusi.
Ambasadorja Olga Makeyeva dhe ministrja e Jashtme Natalia Nikonorova u thanë gazetarëve se diplomatët që përfaqësojnë DPR-në e mbështetur nga Rusia kanë marrë tashmë "një numër të madh" peticionesh nga qytetarët, me synimin për të adresuar problemet e tyre, sipas një raporti në të përditshmen ruse Kommersant.
Donetsk shtrihet në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, i cili ka parë një ofensivë të rëndë ruse në muajt e fundit.

Në një lëvizje të denoncuar nga Perëndimi dhe Ukraina, Rusia njohu pavarësinë e vetëshpallur të DPR-së dhe Republikës Popullore të Luhanskut (LNR) - një ent tjetër separatist në Donbas, më 21 shkurt, tre ditë përpara se Rusia të niste pushtimin e saj.
Hapja e ambasadës në Moskë të martën u zhvillua pa asnjë personazh të lartë të qeverisë ruse të pranishëm. "Ne nuk mund të festojmë këtu kur bashkatdhetarët tanë po vdesin," tha Makeyeva.
Diplomatët gjithashtu planifikojnë të "sigurojnë informacion të vërtetë rreth ngjarjeve në DPR" dhe të rrisin numrin e vendeve që njohin pavarësinë e saj, raportoi Kommersant.
Siria është i vetmi vend përveç Rusisë që e njeh zyrtarisht DPR-në. Sipas Nikonorova, bisedimet për njohjen janë duke u zhvilluar me Korenë e Veriut.
Makeeva tha se përveç punës me qytetarët, rreth 20 anëtarët e saj të stafit do të trajtojnë edhe çështje politike.
"Ne duhet të punojmë me misionet diplomatike të përfaqësuara në Moskë. Por do të na duhet gjithashtu të përcjellim informacion të vërtetë rreth asaj që po ndodh në Republikë dhe, natyrisht, të zbatojmë politikën e jashtme të DNR në Rusi," tha Makeeva.



