Bimët mjekësore me pesticide (VIDEO)

Bimët mjekësore me pesticide (VIDEO)

Shumëkush i konsideron gati mrekullibërëse për shëndetin dhe një dhuratë, që natyra na ka bërë. Cilësohen ilaçe natyrale dhe nuk ka dyshim se përdorimi i duhur i tyre ndikon pozitivisht në shëndet. Bëhet fjalë për bimët mjekësore, të cilat në vendin tonë po gjejnë dita-ditës përdorim më të gjerë. Tashmë, grumbullimi, përpunimi dhe eksporti i bimëve mjekësore është gati jetik për shumë zona të vendit edhe përsa i përket mundësisë për punësim, që ka krijuar për mijëra persona.

Por, si ka ndryshuar ky sektor ndër vite, nëse bëjmë një krahasim me vitet para ’90-s?!  A është rritur prodhimi, shitja dhe eksporti i bimëve medicinale me rritjen e njohurive dhe interesit të njerëzve për konsumin e tyre?!

Për Filip Gjokën, kryetar i Shoqatës së Industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, si dhe drejtues i një prej kompanive të para të industrisë së bimëve mjekësore,  eksporti i bimëve mjekësore, ndryshe nga çfarë mund të mendohet ka qenë më i madh para viteve ’90, për shkak se edhe cilësia e këtyre bimëve ishte më e lartë.

Ai bën me dije, se tregu kryesor i bimëve mjekësore janë SHBA, vendi i parë eksportues për to pas viteve ’90, ndërkohë që eksporte ka edhe me Gjermaninë, Spanjën apo Francën.

Edhe për Ylli Merjan, specialist i bimëve mjekësore, panorama përsa i përket industrisë së bimëve mjekësore para viteve ’90, ka qenë krejtësisht ndryshe.  Sipas tij, deri në vitet ’90-të kishte njerëz të vetëpunësuar në mbledhjen e bimëve dhe pasi bimët çoheshin në pikat e grumbullimit bëhej eksporti i tyre jashtë vendit. Por, nëse çoheshin me mijëra ton jashtë, brenda vendit, bimët medicinale përdoreshin shumë pak.

Ndërkohë në ditët e sotme janë shtuar kultivimet e bimëve mjekësore. Por, lëvizja e popullsisë drejt zonave urbane dhe pakësimi i popullsisë në fshtatra ka sjellë një farë çrregullimi në grumbullim: Bimët nuk shfrytëzohen sipas kritereve për grumbullim dhe një pjesë e tyre janë zhdukur apo rrezikohet zhdukja nga vjelja pa kriter, shqetësim që Gjoka thekson se ia kanë bërë me dije edhe ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Mjedisit.

PËRDORIMI PA KRITER I PESTICIDEVE

Sipas Gjokës, një ndër arsyet që çon edhe në zhdukje të bimëve medicinale është edhe mungesa e ligjeve të duhura në këtë drejtim, pasi ligjet hartohen pa pyetur grupet e interesit.

Një rrezik i madh përbën edhe përdorimi i pesticideve pa kriter dhe nuk ka asnjë garanci, që produktet që konsumojmë janë bio dhe organike.

Ndërkohë, përveç eksporteve, një pjesë e bimëve medicinale importohen edhe nga jashtë, pjesa e madhe e tyre për shkak se nuk përmbushin kërkessat e cilësisë apo sasisë.

Ndërsa për specialistin e bimëve mjekësore, Ylli Merja, i cili gjithashtu është aktiv në industri përmes “Merja Bio Produkte”, importi ka sjellë edhe larmishmëri më të madhe bimësh të kultivuara në vend.

MJEKËSIA ALTERNATIVE

Por çfarë vlen të shikohet si pozitive është se tashmë njerëzit në vendin tonë i kanë bërë pjesë të konsumit të përditshëm bimët medicinale dhe është rritur konsumi në pakicë i tyre.

Nuk janë të paktë ata persona, që shprehen se kanë gjetur shpëtim në përdorimin e bimëve mjekësore dhe i besojmë më tepër atyre se ilaçeve që blejnë në farmaci. Dikur të lidhur me mjekësinë tradicionale dhe produktet farmaceutike, njerëzit kanë filluar t’i drejtohen mjekësisë alternative dhe bimëve medicinale.

Megjithatë, në disa raste, përdorimi i bimëve mjekësore ndodh të bëhet në mënyrë të gabuar, gjë që mund të sjellë edhe efekte anësore të padëshiruara.

PROBLEME ME FINANCIMET

Pavarësisht interesit të madh për bimët mjekësore, në këtë sektor duket se ka shumë për të bërë. Subvenciomet e pakta dhe selektive në bujqësi, por edhe kushtet e përfitimit nga fondet e BE janë disa pika, që duhet të rishikohen, pasi, sipas kreut të Shoqatës së Industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, Gjoka, ndikojnë keq në këtë industri.

FILIP GJOKA

Sipas të dhënave të INSTAT, prodhimi i bimëve medicinale në vendin tonë ka ardhur duke u rritur nga viti në vit dhe në 2019 ky prodhim është 12.9 mijë tonë, duke shënuar një rritje në krahasim me vitet e kaluar.

Por, ndërkohë që eksportet e bimëve mjekësore janë në rritje, për shkak të kërkesës në zgjerim për to në botë, Shqipëria është përballë disa mangësive strukturore që po e pengojnë të rrisë fitimet, që sjellin disa bimë unike që rriten në gjendje të egër në vendin tonë. Nga ana tjetër, edhe plakja e popullsisë e bën gjithnjë e më të pamundur mbledhjen e bimëve që rriten në terrene të vështira, ndërsa edhe djegia e maleve për t’i kthyer ato në kullota ka ulur sipërfaqet e natyrore ku këto bimë rriten. Edhe pse një nga sektorët, që sjell fitim në ekonominë shqiptare, bimët medicinale “Made in Albania” përbëjnë ende një potencial të pashfrytëzuar maksimalisht dhe tek i cili duhet të investohet me më tepër përgjegjësi dhe kujdes.

Përgatiti: Blerina Goce

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy