Protestat e nisura dje, si reagim pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie, janë paralajmëruar të vijojnë edhe sot prej orës 18:00.
Tubimi është paralajmëruar në rrjetet sociale, ndërkohë që raportohet se policia ka nxjerrë në terren rreth 800 efektivë, të pozicionuar kryesisht në zonën e Kryeministrisë.
Gjithashtu raportohet se në pjesën e pasme të institucionit janë vendosur edhe dy automjete me ujë, për shpërndarjen e turmës.
Ndërkohë, në tarracën e Kryeministrisë parashikohet të jenë të vendosur të efektivë të Gardës, të cilët mbikëqyrin situatën nga sipër.
Protestë edhe në Korçë, plagoset një efektiv policie
Vdekja e 25-vjeçarit, Klodian Rasha, i cili u qëllua nga një efektiv policie, ka ngjallur reagime dhe protesta edhe në qytete të tjera, përveç kryeqytetit.
Të rinjtë e Korçës janë ngritur gjithashtu në protestë, duke kërkuar drejtësi për vdekjen e Klodian Rashës, i cili u vra dy ditë më parë nga një prej efektivëve të Forcave Shqiponja.
Nuk kanë munguar përplasjet mes qytetarëve dhe efektivëve të policisë, ku për pasojë ka mbetur i plagosur një polic, i cili është qëlluar me sende të forta.
Protesta është zhvilluar përpara ambienteve të Bashkisë së Korçës, ndërkohë që në orën 18:00 është paralajmëruar një tjetër protestë në kryeqytet.



