
Ajo që një vit më parë mediat e përshkruan si frymë mirëkuptimi dhe "vëllazëri" mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe kryeministrit kanadez, Justin Trudeau, duket se nuk është më e tillë. Shefi i Shtëpisë së Bardhë akuzoi të shtunën kryeministrin kanadez për “deklarata të rreme" dhe tha se SHBA nuk do të mbështesin një komunikatë të përbashkët të G7-s.
Në një status në Tuiter, Trump i referohet konferencës së shtypit të Trudeau, gjatë së cilës ai njoftoi vendosjen e tarifave për mallrat amerikane si kundërpërgjigje ndaj masës së SHBA-ve.
“Bazuar në deklaratat e rreme të konferencës së tij dhe faktin se Kanadaja u ka vendosur tarifa të larta fermerëve amerikanë, punonjësve dhe kompanive, kam udhëzuar republikanët amerikanë të mos e miratojnë komunikatën e përbashkët të G7-s”, shkroi Trump.
Në një status të dytë, Presidenti Trump u shpreh se "kryeministri Justin Trudeau i Kanadasë u tregua i butë gjatë takimeve tona të G7-s, për të dhënë më pas një konferencë shtypi pasi ika unë, duke thënë se “tarifat amerikane ishin një lloj fyerjeje dhe ai nuk do të rrijë pa u kundërpërgjigjur". Shumë e pandershme dhe e dobët. Tarifat tona vijnë në përgjigje të atyre 207% që Kanadaja ka vënë mbi produktet e qumështit”, shkroi Trump.
Ky “acarim” në distancë mes dy liderëve vjen pothuajse një vit pas takimit që ata patën në Shtëpinë e Bardhë. Për shkak të frymës së mirëkuptimit dhe mbështetjes së ndërsjelltë që liderët i dhanë njëri-tjetrit, mediat botërore e pasqyruan atë si një takim të suksesshëm.



