
Stina e verës sjell me vete një bollëk frutash të freskëta dhe plot vlera ushqyese, që jo vetëm i japin ngjyrë dhe shije tryezës sonë, por luajnë edhe një rol të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit.
I ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, herbalisti Irfan Gjeçi theksoi rëndësinë e konsumimit të frutave të stinës, veçanërisht në kushtet e tanishme të përhapjes së virozave dhe rënien së imunitetit gjatë periudhës së verës.
Për shkak të temperaturave të larta, rënies së imunitetit, mutacioneve të reja të viruseve si Covid-19 dhe ngarkesës që i bëhet trupit gjatë kësaj periudhe, është thelbësore të konsumojmë sa më shumë fruta të freskëta.
Ato përmirësojnë tretjen, mbështesin sistemin imunitar dhe ndihmojnë në pastrimin e organizmit.
Frutat që duhet të konsumohen gjatë verës, sipas herbalistit Gjeçi, janë:
Ananasi- I pasur me enzima dhe antioksidantë të fuqishëm, ai ndihmon në përmirësimin e tretjes dhe forcimin e sistemit imunitar.
Ananasi është një frut i shkëlqyer për stomakun dhe zorrët, pasi ndihmon në shërimin më të shpejtë të organizmit.
Molla jeshile dhe kastraveci- Një kombinim i rekomanduar për një smoothie të shëndetshëm, sidomos kur i shtohet edhe pak xhinxher dhe fara kungulli.
Kjo përzierje është një alternativë ideale për mëngjes, pasi mban të gjitha fibrat dhe ushqyesit thelbësorë.
Shalqiri dhe pjepri- Të dy këto fruta janë hidratues dhe ndihmojnë në rregullimin e tensionit dhe nivelit të sheqerit në gjak.
Shalqiri ka një lloj fruktoze që tretet shumë shpejt dhe ndihmon në pastrimin e enëve të gjakut.
Ai është i domosdoshëm për njerëzit me probleme në qarkullimin e gjakut, zemër apo mushkëri.
Uji i aromatizuar me majdanoz, kastravec dhe xhinxher- Rekomandohet përgatitja e një shisheje me ujë të freskët ku të shtohen këto përbërës.
Konsumimi i të paktën 1.5 litrash gjatë ditës, sipas tij, ndihmon në përballimin e vapës dhe në pastrimin e organizmit. Është i vlefshëm për çdo person mbi 15 vjeç.
Gjeçi thotë se konsumimi i frutave të stinës janë çelësi për forcimin e imunitetit gjatë verës.
Të mos harrojmë se çdo gjë që hamë ndikon drejtpërdrejt në sistemin tonë imunitar dhe në mirëqenien tonë të përditshme.
Vera është momenti ideal për të ushqyer trupin me ngjyra, shije dhe vlera natyrale.



